Presidenti i Këshillit Evropian mban fjalim në Parlamentin e Ukrainës

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili zhvilloi takime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev tha se është e pamundur të imagjinohet një Evropë e qetë dhe e sigurt pa Ukrainën e qetë dhe të sigurt, transmeton Anadolu Agency (AA).

Michel foli në Parlamentin e Ukrainës në Kiev ku qëndroi për të zhvilluar bisedime. Ai shprehu dhimbjen e tij të thellë që 14 persona, përfshirë ministrin e Brendshëm ukrainas Denis Monastirskiy, humbën jetën në rrëzimin e helikopterit që ndodhi më 18 janar, në qytetin e Brovarit në rajonin e Kievit.

Ai akuzoi ushtrinë e Rusisë për organizimin e sulmeve me raketa kundër civilëve në Ukrainë. Duke argumentuar se sulmet ruse përbëjnë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vlerat e BE-së, Michel tha: “Unë erdha te ju sot për t’ju thënë juve dhe popullit ukrainas, se ne qëndrojmë me ukrainasit”.

“Rusia synon të marrë Ukrainën nën kontrollin e saj. Kjo strategji nuk do të jetë e suksesshme. Ukraina është e pathyeshme, Ukraina është krenare, e fortë dhe e guximshme”, tha Michel.

Presidenti i Këshillit Evropian tha se procesi i integrimit të Ukrainës me BE-në vazhdon dhe se ata do të vazhdojnë të mbështesin palën ukrainase në këtë proces. Duke kujtuar se vitin e kaluar i dhanë Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Michel tha se do të bëjnë përpjekje të mëdha që ky vend të bëhet anëtar i plotë i BE-së.

Ai theksoi se si BE, do të ofrojnë mbështetje financiare prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën në vitin 2023 dhe se ata kanë krijuar një fond mbrojtës prej 11 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën.

Michel tha se BE-ja vendosi të ofrojë trajnime luftarake për 15 mijë ushtarë ukrainas dhe se ndihma me armë nga Evropa për Ukrainën vazhdon.

“Ne e dimë se javët e ardhshme (në front) do të jenë vërtet vendimtare. Kjo është arsyeja pse ju duhen më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa dhe tanke me rreze më të gjatë dhe ato nevojiten që tani”, tha Michel.

Duke përmendur se Ukraina pësoi dëme serioze për shkak të luftës, Michel nënvizoi se të gjithë përgjegjësit për këtë çështje duhet të ndiqen penalisht dhe sanksionet kundër Rusisë duhet të vazhdojnë.

“Është e pamundur të imagjinohet një Evropë e qetë dhe e sigurt pa një Ukrainë të qetë dhe të sigurt. Nuk mund të ketë një Evropë të lirë pa një Ukrainë të lirë. E ardhmja jonë është e lidhur përgjithmonë”, tha Michel.