Presidenti i RMV-së vlerëson pozitivisht ecurinë e procesit zgjedhor

Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e procesit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit.

Në një deklaratë për mediat presidenti deklaroi se zgjedhjet e sotme do të jenë të besueshme dhe pret njësoj që të jetë edhe raundi i dytë më 31 tetor.

“Shpresoj që deri në fund të procesit zgjedhor të mbetet kështu deri në orën 19:00, pas së cilës duhet të numërohen dhe të publikohen rezultatet e zgjedhjeve lokale. Secili shtet serioz duhet të mbetet e mobilizuar deri në fund të procesit zgjedhor dhe presim që edhe më 31 tetor, kur mbahet raundi i dytë, ta mbajmë kredibilitetin e procesit zgjedhor”, tha ai.
Ditën e sotme po zhvillohet në Maqedoninë e Veriut raundi i parë i zgjedhjeve vendore.

Në të do të zgjidhen 80 kryetarët e rinj të komunave dhe kryebashkiaku i Shkupit. Ndërkohë në garë janë 303 kandidatë për kryetarë dhe 567 këshilltarë komunalë.