Presidenti i rrëzuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u dënua sot me 5 vjet burg për akuzat se ka pengouar përpjekjen e hetuesve për ta arrestuar atë vitin e kaluar, transmeton Anadolu.
Sipas raportimit të “Yonhap News” me seli në Seul, ky shënon dënimin e parë të Yoon-it në tetë raste për të cilat ai po gjykohet, përfshirë akuzat se ai udhëhoqi një kryengritje përmes shpalljes nga ai të gjendjes ushtarake në dhjetor 2024.
Një ekip i udhëhequr nga këshilltari special Cho Eun-suk muajin e kaluar kërkoi dënim me 10 vjet burg, duke argumentuar se Yoon kreu “krim të rëndë” duke “privatizuar” institucionet shtetërore me qëllim fshehjen dhe justifikimin e veprimeve të tij kriminale.
Prokurorët specialë më parë këtë javë kërkuan dënim me vdekje për ish-presidentin Yoon për akuzën e kryengritjes. Një gjykatë do të vendosë për këtë rast më 19 shkurt.
Ish-presidenti përballet me një total prej tetë gjyqesh në lidhje me përpjekjen e tij për vendosjen e gjendjes ushtarake, korrupsionin e dyshuar të gruas së tij dhe vdekjen e një oficeri të marinës në vitin 2023.
Yoon u arrestua dhe u padit janarin e kaluar me akuzën e udhëheqjes së një kryengritjeje, duke e bërë atë presidentin e parë në detyrë në historinë e Koresë së Jugut që u dërgua në paraburgim. Ai u lirua në mars, u arrestua përsëri në korrik dhe që atëherë ka mbetur i ndaluar.



