Presidenti kroat ia konfirmon Osmanit mbështetjen në rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun në Slloveni, është takuar sot me presidentin kroat Zoran Milanoviq.

Gjatë takimit Milanoviq, ka thënë se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sikundër edhe liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane. Është përmendur edhe mundësia e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Të dy bashkëbiseduesit, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve i kanë vlerësuar të shkëlqyeshme dhe janë shprehur ta gatshëm që ato të intensifikohen në shumë sfera të interesit të përbashkët. Në këtë kontekst është përmendur mundësia e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Presidenti Milanoviq ka thënë se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sikundër edhe liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane. Në takim u bisedua edhe situata me pandeminë Covid-19, ndërkohë që Presidentja Osmani falënderoi Kroacinë për dhurimin e një sasie të vaksinave”, thuhet nga Presidenca.

Në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, Osmani pritet të ketë edhe takime me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.