Presidenti kroat kundër anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në NATO

Zoran Milanoviq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dëshiron që shteti i tij ta ndjekë shembullin e Turqisë duke tentuar që ta bllokojë Suedinë dhe Finlandën për t’u anëtarësuar në NATO, raportoi AP-ja të mërkurën.

Milanoviqi është në mosmarrëveshje të ashpra me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq për një numër çështjesh, përfshirë atë nëse duhet të mbështeten aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO të mërkurën.

Para se Parlamenti kroat ta ratifikojë anëtarësimin në NATO të dy shteteve, Milanoviqi dëshiron një ndryshim të ligjit zgjedhor të Bosnjës fqinje që do ta bënte më të lehtë për kroatët e Bosnjës zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në poste drejtuese.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se zgjerimi i NATO-s do të varet nga ajo se sa do të tregojnë respekt Finlanda dhe Suedia për Turqinë lidhur me terrorizmin. /koha