Presidenti kroat tha se “Kosova iu vodh Serbisë”, reagon deputetja shqiptare në Kroaci

Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ka reaguar pas deklaratës që dha presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq se “Kosova i është vjedhur Serbisë”.

Deputetja shqiptare tha se “themelet e pavarësisë së Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësi të Kroacisë”.

Prlaskaj në një postim në Facebook ka thënë se ndien nevojë për t’u deklaruar në lidhje me çështjen.

“Republika e Kosovës është formuar nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, njëjtë si Republika e Kroacisë”, ka thënë ajo, ndërsa ka përmendur edhe elementet historike.

Të hënën, në fund të konferencës së mbajtur në Petrinuja, presidenti i Kroacisë, Milanoviq, ndër tjera tha se “Kosova i është aneksuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Rusët, pasi janë cinikë, do të thirren në aneksimin e Kosovës, të cilën e përkrahi”, ka thënë Milanoviq.

Kur është pyetur nga gazetarëve kush e aneksoi Kosovën, ai tha: “Komuniteti ndërkombëtar dhe ne. U mor nga Serbia. Kosova iu mor Serbisë. A e njohëm Kosovën? Po. Unë qëndroj prapa Kosovës. Kur është bërë një herë, pa dëshirën e shtetit që i takon Kosova, pra Serbisë apo Jugosllavia, e cila nuk ishte miqësore për ne e nuk shqetësoheshim për ta, ishte vetëm çështje kohe kur rusët apo të tretët do ta bënin këtë dhe e bënë. Nuk ishte aneksim, ishte kapje. Një pjesë e territorit që është nxjerrë nga Serbia. Si quhet? Nxjerrje. Nuk vë kjo në dyshim çështjen e Kosovës, por konceptin e tërë në të cilin dikush mendon se ka të drejtë për gjithçka kur i përshtatet, e kur dikush tjetër bën, atëherë është krim”.

Disa mediume serbe kanë përgëzuar Milanoviqin për deklaratën e dhënë. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do ta dëgjojë me vëmendje deklaratën e Milanoviqit.

Deputetja shqiptare Prlaskaj ka thënë se Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën dhe vendosi marrëdhënie diplomatike.

“Po ashtu, Republika e Kroacisë përkrah fuqishëm angazhimin e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlatnik dhe përforcimit të pozitës në Evropën Juglindore”, ka deklaruar Prlaskaj.