Presidenti malazez, Gjukanoviq: Jam i sigurt se do të fitoj në zgjedhjet presidenciale

Presidenti i Malit të Zi dhe lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq tha se ka besim se do të fitojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 19 mars në vend, transmeton Anadolu.

Gjatë vizitës së tij në Guci (Gusinje) në juglindje të vendit, Gjukanoviq dha deklaratë lidhur me zgjedhjet e 19 marsit, kur qytetarët do të votojnë për të zgjedhur presidentin.

Duke theksuar se Mali i Zi është një kandidat për një të ardhme më të mirë, Gjukanoviq tha: “Jam i sigurt se do t’i fitoj zgjedhjet. Ashtu siç nuk mundët të më fitoni në zgjedhjet e mëparshme, nuk do të mund ta bëni edhe në këto zgjedhje”.

Gjukanoviq tha se vendi i tij, i cili duhet të shpëtojë nga krizat politike dhe problemet në të cilat ndodhet, duhet t’i afrohet Bashkimit Evropian (BE) në mënyrë që të rivendosë stabilitetin.

Ai tha se partia e tij DPS ka prioritete. “Prioriteti i parë është ruajtja e marrëdhënieve të mira midis feve dhe kombeve të ndryshme kundër nacionalistëve që kërkojnë ndryshime kufijsh në Ballkan. Së dyti, të ndërmerren hapa ekonomikë dhe politikë për të rritur investimet në Mal të Zi. Së treti, anëtarësimi i vendit në BE”, tha Gjukanoviq.

Presidenti malazez shprehu besimin se vendi i tij do të bëhet anëtar i BE-së gjatë presidencës së ardhshme.

– Zgjedhjet në Mal të Zi

Shtatë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 19 mars në vend.

Në mesin e kandidatëve janë presidenti aktual Milo Gjukanoviq, Andrija Mandiq nga Fronti Demokratik (DF), Draginja Vuksanoviq-Stankoviq nga Partia Socialdemokrate (SDP), Aleksa Beçiq nga partia Mali i Zi Demokratik, lideri i Lëvizjes Evropiane, Jakov Milatoviq, kryetari i Unionit Malazez, Goran Daniloviq dhe influenceri Jovan Raduloviq.

Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale, dy kandidatët me më shumë vota do të kalojnë në raundin e dytë që do të mbahet më 2 prill.

Në Mal të Zi, ku u mbajtën zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2018, presidenti zgjidhet çdo 5 vjet.