Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në ditët në vijim do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Turqi, ku, siç tha ai, do të zhvillojë bisedime shumë të rëndësishme me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, duke paralajmëruar një sërë aktivitetesh intensive diplomatike në javët e ardhshme, raporton Anadolu.
Vuçiq këtë paeralajmërim e bëri para gazetarëve në Mladenovac, pas hapjes së një gjimnazi të riparuar.
– Diplomacia rajonale dhe ndërkombëtare
Vuçiq tha se pas vizitës në Ankara do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku planifikon një takim bilateral me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.
Ai paralajmëroi gjithashtu se më 15 shkurt, në Ditën e Shtetësisë së Serbisë, pret ardhjen e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një vizitë zyrtare në Beograd, duke theksuar se kjo vizitë ka rëndësi të veçantë për Serbinë, veçanërisht në fushën e energjetikës, ku dy vendet planifikojnë projekte të përbashkëta, përfshirë ndërtimin e një termocentrali me gaz.
Një ditë pas vizitës së Aliyevit, Vuçiq planifikon një udhëtim në Indi, ku do të marrë pjesë në një samit kushtuar inteligjencës artificiale dhe do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministrin indian Narendra Modi, si dhe bisedime me liderë të tjerë botërorë.
Pas kthimit nga India, tha ai, Serbia pret ardhjen e zyrtarëve evropianë, me të cilët do të ketë një darkë më 20 ose 21 shkurt, përpara një vizite bilaterale në Kazakistan.
– Akuza ndaj Kroacisë
Vuçiq deklaroi gjithashtu se, sipas tij, nuk është sekret që Kroacia, mediat e saj dhe aktorë politikë janë të përfshirë në ngjarjet në Serbi.
Ai tha se për pretendime të tilla, siç u shpreh, nuk nevojitet shërbim inteligjent, pasi ato janë “të dukshme me sy të lirë”, duke shtuar se Zagrebi shpreson për ndryshime të pushtetit në Serbi.
Duke folur për, siç tha ai, rikthimin e ideologjisë “ustashe” në hapësirën publike të Kroacisë, Vuçiq pohoi se kjo ideologji nuk është zhdukur kurrë plotësisht, por sot është e pranishme në një formë më të hapur.
– Shqetësim për aleancën ushtarake në rajon
Presidenti i Serbisë deklaroi gjithashtu se është “shumë i shqetësuar” për aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për bashkëpunim ushtarako-teknik, por për një aleancë që mund të ketë edhe karakter ofensiv.
Sipas tij, Serbia disponon të dhëna të inteligjencës për bisedimet që, siç tha ai, po zhvillohen lidhur me drejtimet e mundshme të sulmit dhe mbrojtjes, si dhe për përpjekjet e Prishtinës për të siguruar armatim shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqia.
Vuçiq tha se qytetarët e Serbisë nuk duhet të shqetësohen, duke theksuar se kapacitetet e Ushtrisë së Serbisë po forcohen vazhdimisht.
– Zhvillimi teknologjik dhe robotët
Vuçiq deklaroi gjithashtu se Serbia në pesë muajt e ardhshëm mund të nisë prodhimin e robotëve humanoidë të parë, nëse sigurohen sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike.
Ai paralajmëroi bisedime me drejtuesit e “Elektroprivredës së Serbisë” (EPS) për rritjen e kapaciteteve prodhuese, duke theksuar se shteti dëshiron të hyjë sa më shpejt në fushën e robotikës së avancuar dhe automatizimit.
– Interes global për bashkëpunim me vendet arabe
Duke folur për trendet globale politike dhe ekonomike, Vuçiq vlerësoi se bota po orientohet gjithnjë e më shumë drejt marrëdhënieve bilaterale, në vend të atyre multilaterale, për shkak të nevojës për burime energjetike të sigurta dhe më të lira.
Ai tha se për këtë arsye është rritur interesi për bashkëpunim me vendet arabe, duke përmendur si shembull aktivitetet e Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore, dhe kujtoi se Serbia një qasje të tillë e ka nisur më shumë se një dekadë më parë përmes partneritetit me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Vuçiq paralajmëroi se Serbia edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë aktivitetet intensive ndërkombëtare, për të mbrojtur, siç tha ai, interesat e saj politike dhe ekonomike.




