Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, bëri thirrje të mërkurën për stabilitet dhe pajtim në Siri, duke i nxitur të gjitha palët t‘i japin përparësi unitetit dhe të shmangin veprimet që mund të prishin perspektivat për paqe të qëndrueshme, transmeton Anadolu.
“Dëshira jonë më e madhe për Sirinë është të arrijë stabilitet dhe paqe. Ne duam që sirianët ta ndërtojnë të ardhmen e tyre së bashku në unitet”, tha Erdogan, duke folur gjatë takimit të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme të vendit pas viteve të konfliktit, duke vënë në dukje se skicat e një zgjidhjeje afatgjatë po bëhen më të qarta, duke i paralajmëruar palët kundër përsëritjes së gabimeve të së kaluarës.
“Udhërrëfyesi për paqe të qëndrueshme në Siri është vendosur; palët duhet të shmangin llogaritjet e gabuara, përsëritjen e gabimeve të së kaluarës ose helmimin e procesit me kërkesa maksimaliste”, tha Erdogan.
Duke theksuar koston njerëzore të luftës, Erdogan shtoi: “Çdo pikë gjaku e derdhur na thyen zemrat, pavarësisht nëse janë arabë, turkmenë, kurdë apo nusajri; çdo jetë e humbur në Siri ndihet si të humbasim një pjesë të vetes”.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një ndryshim drejt rindërtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike. “Është koha që burimet dhe pasuria mbi dhe nëntokësore e Sirisë të përdoren për prosperitetin e të gjitha segmenteve të shoqërisë, jo për hapjen e tuneleve nën qytete”, tha ai.
Duke iu drejtuar shqetësimeve rajonale, Erdogan hodhi poshtë pretendimet se Turqia kërkon dominim, duke deklaruar: “Turqia nuk kërkon ndikim në rajon dhe nuk ka dëshirë të formësojë vendet e tjera; përkundrazi, ne sinqerisht kërkojmë vëllazëri”.



