Presidenti turk pret në takim në Ankara zyrtarët e lartë të BE-së

Në vazhdën e përmirësimit të lidhjeve midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur në takim në Ankara zyrtarë të lartë të BE-së të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kompleksin presidencial në Ankara, presidenti Erdoğan u takua me kreun e Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe kreun e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Pas takimit pothuajse tre orësh, në një konferencë për media në Delegacionin e BE-së në Ankara, Michel tha se “BE-ja është e gatshme të paraqesë një axhendë konkrete për të përforcuar bashkëpunimin në ekonomi dhe imigrim, si dhe në lidhjet ndër-shoqërore”.

Michel tha se BE-ja njeh rëndësinë strategjike të marrëdhënieve reciprokisht të dobishme dhe pozitive me Turqinë, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor.

Nga ana tjetër, von der Leyen tha se vizita e tyre ka për qëllim të nxisë marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së, si dhe njoftoi se gjatë takimit të tyre me presidentin turk janë mbuluar “fushat e dobishme të bashkëpunimit”.

“Ne do të merremi me vështirësitë aktuale në zbatimin e Unionit Doganor dhe përfundimisht do të punojmë për të azhurnuar atë”, theksoi von der Leyen, duke iu referuar marrëveshjes tregtare të vitit 1995 midis Turqisë dhe bllokut evropian.