Ballina Lajmet Kosovë Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike Alicia Kearns për...

Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike Alicia Kearns për mbështetje të palëkundur ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns, si shenjë mirënjohjeje, siç thuhet në komunikatën e presidencës për përkrahjen e saj të palëkundur për sovranitetin e Kosovës dhe për angazhimin në promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Gjatë ceremonisë, Osmani theksoi kontributin e deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet Kosova dhe Ballkani Perëndimor.

Ajo e cilësoi Kearns si një mike të madhe të Kosovës, duke theksuar se populli kosovar është mirënjohës për përkrahjen e saj të vazhdueshme dhe për kontributin e saj në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Komunikata e plotë:

Presidentja Vjosa Osmani i ndan Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, Alicia Kearns

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave deputetes britanike, znj. Alicia Kearns, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e saj të palëkundur për paqe dhe siguri në Kosovë dhe në rajon.

Gjatë ceremonisë, Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin e vazhdueshëm të deputetes Kearns në ngritjen e vetëdijes për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast, Presidentja Osmani e cilësoi deputeten Kearns si një mike të madhe të Kosovës, duke theksuar se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për përkrahjen e saj të vazhdueshme, si dhe për kontributin në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.