“Pretendimet për ekstradimin e jashtëligjshëm të Gylenit janë qesharake dhe të pabaza”

Të gjitha pretendimet se Turqia mund të përdorë mjet tjetër përveç sundimit të ligjit për ekstradimin e udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, janë të rreme, qesharake dhe të pabaza, tha Ambasada e Turqisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim të Ambasadës së Turqisë theksohet se udhëheqësi i organizatës terroriste FETO, Gylen, planifikoi dhe urdhëroi tentativën për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit të kaluar dhe pritet që SHBA-të ta ekstradojnë atë në Turqi.

“Populli turk është thellësisht i shqetësuar dhe habitur nga fakti se si Fetullah Gylen si person që qëndron prapa veprave të liga dhe të rënda gjen strehim në SHBA. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin ndërinstitucional, në mënyrë që institucionet amerikane ta kuptojnë më mirë fajësinë e FETO-s, arsyet për ekstradimin e Gylenit në përputhje me marrëveshjen për ripranim në mes të dy vendeve”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se qeveria dhe populli i Turqisë presin ekstradimin e menjëhershëm të Gylenit, i cili duhet gjykuar.

“Siç kemi theksuar edhe në mars të këtij viti, të gjitha pretendimet se Turqia mund të përdorë mjet tjetër përveç sundimit të ligjit për ekstradimin e udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, janë të rreme, qesharake dhe të pabaza”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Ndryshe, gazeta The Wall Street Journal të premten pretendoi se ish-këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, dhe djali i tij kanë zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm turq për rrëmbimin e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, jashtë territorit të SHBA-ve, me një kosto prej 15 milionë dollarëve. WSJ pretendoi se takimi është hetuar nga Prokurori Special Robert Mueller, i cili po ashtu drejton hetimin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Robert Kelner, avokati i Flynnit, i cilësoi si të rreme dhe të shëmtuara pretendimet e mediave në llogari të klientit të tij, i cili u akuzua për rrëmbim dhe ryshfet.