Princi i Kurorës Saudite diskuton Iniciativën e Gjelbër me udhëheqësit arabë

Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman thirri udhëheqësit e Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Irakut dhe Sudanit për të diskutuar projektin masiv rajonal të mbjelljes së pemëve, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve (SPA) të hënën.

 

“Iniciativa e Gjelbër e Lindjes së Mesme synon, në partneritet me vendet e rajonit, të mbjellë 50 miliardë pemë si programi më i madh i ripyllëzimit në botë,” tha SPA.

Princi i kurorës zbuloi fushatën ambicioze të shtunën, projekt ky me të cilin Arabia Saudite do të mbjellë 10 miliardë pemë në dekadat e ardhshme dhe do të punoj me shtetet e tjera arabe për të mbjellë edhe 40 miliardë pemë, për të zvogëluar emetimet e karbonit dhe për të luftuar ndotjen dhe degradimin e tokës.

SPA shtoi se nisma synon gjithashtu “të rrisë efikasitetin e prodhimit të naftës dhe të rrisë kontributin e energjisë së rinovueshme, përveç përpjekjeve të shumta për të ruajtur mjedisin detar dhe bregdetar, dhe për të rritur përqindjen e rezervave natyrore”.

Nisma e Gjelbër Saudite është pjesë e planit të princit Vizioni 2030 për të zvogëluar varësinë e saj në të ardhurat e naftës dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës. /Mesazhi.com