Prindërit e gjashtë serbëve të vrarë në kafiterinë Panda në Pejë i dërgojnë sërish letër Vuçiqit

Prindërit e gjashtë të rinjve serbë që më 14 dhjetor të vitit 1998 u vranë në kafiterinë Panda në Pejës, i kanë dërguar një letër të hapur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, me lutjen që t’i pranojë për një bisedë dhe t’i njoftoj për të gjitha dhe kush ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e tyre në Pejë.

Në letrën që e ka siguruar agjencia serbe e lajmeve Beta, prindërit pretendojnë se nga viti 2017 kanë kërkuar që t’i pranojë për një takim presidenti i Serbisë, dhe se ai u kishte premtuar atyre dhe opinionit të gjerë gjatë 11 janarit, se do t’i pranojë për një takim në fund të muajit.

“Edhe pse nga viti 2017, dhjetëra herë kemi kërkuar takim, kësaj radhe besuam që më në fund do ta bëni dhe të na informoni për gjithçka dhe të na i prezantoni dëshmitë të cilat kanë arritur t’i sigurojnë institucionet që besojmë se merren me këtë krim. Megjithatë, deri në ditën e sotme nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje”, thuhet në letër, transmeton Telegrafi.

Në letër gjithashtu thuhet se “25 vite janë bërë që kur në kafiterinë Panda në Pejë, disa kriminelë kryen vrasjet më monstruoze, vranë gjashtë serbë të pafajshëm, fëmijët e tyre – Svetislava Ristiqin, 18-vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16, Zoran Stanojeviq, 18, Dragan Trifoviq, 18, Ivan Radeviq, 24 dhe Ivan Obradoviq, 15”.

“Kanë kaluar 10 vite që kur asgjë nuk kemi mësuar për rastin. Konsiderojmë dhe jemi të bindur se ishte vepër e shtetit, vepër kjo për të cilën është vendosur nga dikush i lartë në hierarki të shtetit serb dhe paraqet një terrorizëm shtetëror”, thuhet ndër tjera në letër.

Kujtojmë që në vitin 1998 në kafiterinë Panda në Pejë ishin vrarë gjashtë të rinj serbë, për të cilët regjimi i atëhershëm i Millosheviqit akuzonte shqiptarët, por që më vonë edhe vet autoritet në Serbi pranuan se ata ishin vrarë nga serbët dhe se prapa këtyre vrasjeve fshihen serbët.