Projekte të reja të mësimit fetar islam në shkollat publike në Zvicër

Për mësimin fetar islam në shkollat zvicerane flet Mr. Rejhan Neziri, imam në xhaminë shqiptare „Hëna e re“ në Kreuzlingen dhe prej 12 vitesh mësues i lëndës fetare islame në shkollat publike të po këtij qyteti

Mësimbesimi fetar në shkollat publike në Zvicër, është një temë që kthehet kohë pas kohe në opinionin e këtushëm. Ai vazhdon të mbetet temë diskutimi në qarqet e ndryshme arsimore, fetare dhe ato shtetërore. Në Zvicër tashmë disa vjet me radhë në disa shkolla publike lënda fetare islame është pjesë e planprogrameve arsimore.

Një pilot projekt i edukimit fetar në shkollat publike për fëmijët myslimanë ka filluar në verën e vitit 2010 edhe në Kreuzlingen. Në fillim kjo iniciativë ishte ballafaquar me mungesë mirëkuptimi, por më vonë u njoh gjithnjë e më shumë nga publiku dhe grupet e specializuara, si një hap i rëndësishëm i integrimit.

Duket që përvoja e mirë në Kreuzlingen ka dhënë frytet e saj, pasi një projekt tjetër i ngjashëm tani po fillon në Romanshorn (TG) dhe Schaffhausen (SH).

Për t’u informuar burimisht rreth kësaj teme të rëndësishme, kontaktuam me Mr. Rejhan Nezirin, imam në xhaminë shqiptare „Hëna e re“ në Kreuzlingen, njëkohësisht edhe mësues i lëndës fetare islame në shkollat publike të po këtij qyteti të Zvicrës Lindore, tash e 12 vjet me radhë.

Albinfo.ch: I nderuar z. Neziri, si ka lindur ideja dhe mundësia për inkuadrimin e mësimit fetar islam në shkollat publike në Zvicër?

Rehan Neziri: Para se të ishte thjeshtë një ide, kjo në radhë të parë ka qenë një nevojë për nxënëset dhe nxënësit myslimanë, pasi bashkëmoshatarët e tyre të krishterë tashmë e kishin këtë mundësi qysh më herët. Në kohën që fëmijët e krishterë zhvillonin mësimin e tyre fetar nëpër klasa, nxënësit myslimanë është dashur të bredhin rrugëve ose në oborrin e shkollës. Duke e parë këtë nevojë si dhe numrin e madh të nxënësve myslimanë nëpër disa qytete – në qytetin tonë, në Kreuzlingen këta përbënin 23 % të numrit të përgjithshëm të nxënësve, në ndërkohë që nxënësit reformistë përbënin 24 % dhe ata katolikë diku te 32 % – atëherë ne si xhami dhe si komunitete myslimane shtruam kërkesë te autoritetet shkollore që të na ofronin edhe neve këtë mundësi. Kjo s’ka qenë aspak e lehtë për t’u arritur, mirëpo falë angazhimit të imamëve dhe të xhamive tona në fushën e kultivimit të marrëdhënieve me faktorin publik në vend, siç ishin kishat dhe dialogu ndërfetar me to, pastaj komuna, shkollat si dhe pjesëmarrja në aktivitetet sociale, kulturore e sportive në vend, u lehtësua ky proces dhe u krijua gatishmëria për ta kuptuar më lehtë nevojën për mësimin islam nëpër shkollat publike.

Albinfo.ch: Çfarë është roli i shkollave publike, respektivisht i shtetit, në këtë mësim fetar?

Rehan Neziri: Autoritetet dhe përgjegjësit e shkollave publike që në fillim të herës, për shembull te ne, në Kreuzlingen, janë deklaruar se pajtohen me inkuadrimin e këtij mësimi në shkollat publike, në të njëjtën formë siç zhvillohet edhe për fëmijët e krishterë. Kjo nënkupton se shkolla i vë në dispozicion klasat me të gjitha mobilet dhe pajisjet elektronike të një klase moderne, se mësimi duhet të zhvillohet në gjuhën gjermane standarde, e për financimin e këtij mësimi duhet të kujdesen vet myslimanët dhe bashkësitë e tyre fetare. Planet dhe mjetet mësimore duhet të jenë të njohura për autoritetet shkollore, ndërsa mësuesi i lëndës fetare duhet të jetë i përgatitur profesionalisht si nga aspekti teologjik ashtu edhe nga ai pedagogjik, etj.

Albinfo.ch: Na thoni disa detaje rreth plan-programit dhe temave që trajtohen në këtë mësim fetar?

Rehan Neziri: Të zhvillosh plane të reja dhe origjinale për një mësim islam, kërkon një ekspertizë të lartë, gjë që neve na mungonte, pra kuadri i profesionalizuar në këtë fushë. Prandaj ne u orientuam në vendet e tjera gjermanofolëse si Austria dhe Gjermania, të cilat, fatmirësisht, ishin shumë më përpara në këtë drejtim. Prej tyre huazuam jo vetëm planet mësimore (Lehrplan), por edhe mjetet mësimore (Lehrmittel), pra librat e përshtatshëm. Në këto plane dhe mjete mësimore janë të përfshira tetë njësi kryesore tematike, të cilat përsëriten në mënyrë të përshkallëzuar, varësisht sipas moshës së nxënësve, në vitet apo klasat vijuese. Tetë temat kryesore, duke mos i anashkaluar edhe njësitë më të detajuara mësimore, janë: 1. Bashkëjetesa me të tjerët në një shtet të lirë e demokratik, 2. Mësimet besimore, si mësimet rreth Zotit, krijimit, natyrës dhe njeriut si dhe rreth qëllimit të jetës në përgjithësi, 3. Lutjet: praktikimi i lutjeve rituale (namazit) dhe i atyre personale (du’atë), 4. Jeta fetare: fushat qendrore të praktikës islame, të ashtuquajturat pesë shtylla të Islamit si dhe sjellja morale, etike, 5. Pejgamberi Muhammed a.s., në këndvështrimin historik dhe fetar, 6. Kur’ani: historiku dhe struktura e tij si dhe hyrje në pjesë të përzgjedhura tekstuale të tij, 7. Pejgamberët e mëhershëm dhe rrëfime të shkurta e të përzgjedhura për ta nga Kur’ani dhe tradita islame, dhe 8. Fetë e tjera: mësime nga përmbajtja doktrinare e feve të tjera si dhe bashkëjetesa me pjesëtarët e tyre.

Albinfo.ch: Cilat mosha janë të përfshira në këtë program?

Rehan Neziri: Duke e marrë parasysh se në mënyrë pak më intensive ndjenjat fetare te fëmijët zhvillohen dhe përjetohen në moshën rreth pubertetit të tyre, e kemi parë të arsyeshme që mësimin fetar islam ta mbajmë me nxënësit e shkallës së mesme fillore, konkretisht me klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta, nga një orë mësimore në javë.

Albinfo.ch: Çfarë dobie kanë fëmijët dhe shoqëria e vendit nga mësimi fetar?

Rehan Neziri: Komisioni që është marrë me zhvillimin e konceptit dhe të përmbajtjes si dhe të strukturës së këtij mësimi fetar, që në fillim të herës, e ka trajtuar me seriozitetin e duhur edhe qëllimin qenësor të kësaj oferte. Me këtë rast janë përcaktuar edhe synimet kryesore që duheshin arritur me anë të këtij mësimi fetar islam në shkollat publike, që janë: 1. formimi dhe zhvillimi i identitetit fetar islam te fëmijët myslimanë, 2. shfrytëzimi i shkollës si një hapësirë e rëndësishme sociale për fëmijët, 3. avancimi i integrimit të fëmijëve myslimanë dhe i prindërve të tyre në shoqërinë shumicë, 4. rritja e transparencës së mësimit fetar islam, duke qenë se kishte dyshime të dukshme në shoqërinë shumicë se a thua çfarë po mësohej nëpër xhamitë e strukura nëpër bodrume e cepe ndërtesash, 5. dekonstruimi dhe mënjanimi i dyshimeve dhe i frikës ndaj Islamit, myslimanëve, xhamive etj., të gjitha këto të pranishme në shoqërinë zvicerane dhe të intensifikuara nga ngjarjet në arenën ndërkombëtare pas 11 shtatorit 2001, 6. avancimi dhe kultivimi i bashkëjetesës, si dhe 7. shkëmbimi i ideve dhe i përvojave në planin ndërfetar midis nxënësve myslimanë dhe atyre jomyslimanë…

Albinfo.ch: Çfarë dallimi ka mësimi fetar islam nëpër shkollat publike nga ai që zhvillohet nëpër mejtepet e xhamive në Zvicër?

Rehan Neziri: Dallimet kryesore janë dy: gjuha dhe përmbajtja. Përderisa në mejtepin e xhamisë mësimi zhvillohet në gjuhën amtare të fëmijëve, pra në gjuhën shqipe, në shkollat publike përdoret gjuha gjermane standarde, pasi në të marrin pjesë nxënës edhe të nacionaliteteve të ndryshme. Nga ana tjetër, përderisa në mejtep më shumë i jepet rëndësi pjesës praktike si abdesti, namazi, suret e namazit, mësimi i shkronjave të alfabetit arab dhe leximi i Kur’anit, në shkollat publike më shumë rëndësi i jepet pjesës teorike, me njësitë dhe temat mësimore që i përmenda më parë. Më lejoni të theksoj se këto dy procese mësimore as nuk e zëvendësojnë, por as që e përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi veprojnë si elemente plotësuese (komplementare). Pikërisht ky përplotësim faktik ndikon që, për shembull te ne në Kreuzlingen, afro 70 % e nxënësve t‘i ndjekin të dy proceset mësimore islame: edhe atë në xhami edhe atë në shkollat publike.

Albinfo.ch: Kush merret me organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi?

Rehan Neziri: Në rastet e mëhershme për këtë është angazhuar vetë mësuesi i lëndës fetare, respektivisht imami ose teologia. Ndërsa në rastet e fundit për këtë kryesisht janë themeluar shoqata të posaçme. P.sh. te ne në Kreuzlingen, për këtë qëllim qysh në fillim të herës u themelua një shoqatë e përbashkët nga ana e xhamisë sonë shqiptare dhe asaj turke, me emrin Verein für Islam-Unterricht in Kreuzlingen – www.viuk.ch (Shoqata për mësimin islam në Kreuzlingen). Kjo shoqatë i njofton prindërit për këtë ofertë dhe i pyet ata nëse dëshirojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë mësim. Ajo e organizon edhe aspektin financiar të këtij mësimi. Ajo është gjithnjë në kontakt me mësuesin e fesë, respektivisht me hoxhën, si dhe me sekretariatin e shkollave publike. Orarin mësimor hoxha e organizon bashkë me drejtorët e shkollave në vend. Shoqata bashkë me hoxhën organizon një herë në vit një mbledhje prindërore si dhe një shëtitje për fëmijët që e ndjekin këtë mësim.

Albinfo.ch: Ju sapo e përmendët aspektin financiar. A mund të na thoni diçka më shumë në këtë drejtim?

Rehan Neziri: Siç thashë më herët, më me kompetencë flas për rastin tonë në Kreuzlingen, shfrytëzimi i klasave dhe i gjithë materialit brenda tyre, vihen në shërbim falas nga shkolla. Pagesa e mësuesit, librat mësimorë, organizimi i mbledhjes prindërore, shëtitja e fëmijëve etj., të gjitha këto i merr përsipër Shoqata për mësimin islam. Burimet financiare janë tri: xhamitë në vend, kontributet e prindërve të fëmijëve si dhe sponsorët e ndryshëm.

Albinfo.ch: A keni informacion se në sa shkolla të tjera publike janë jetësuar projekte të këtilla të lëndës fetare islame?

Rehan Neziri: Para shumë vitesh ky mësim është zhvilluar në qytetin e Wilit, SG, pastaj në Ebikon afër Lucernit si dhe në Aargau. Para disa vitesh ky mësim është ndërprerë në Wil dhe në Aargau, ndërkohë që vazhdon në Ebikon (LU), te ne në Kreuzlingen (TG) dhe në Sulgen (TG). Në gusht të këtij viti, pra në vitin shkollor 2022/23, ky mësim do të fillojë edhe në qytetin e Romanshornit (TG) si dhe në Schaffhausen (SH). Punohet edhe në drejtim të inkuadrimit të këtij mësimi fetar edhe në shkollat publike të Frauenfeldit (TG), por për këtë është akoma herët të themi diçka konkrete. Shpresoj shumë dhe uroj që këto projekte nga Zvicra Lindore të mund të shtrihen edhe në kantonet dhe në komunat e tjera të Zvicrës.

Albinfo.ch: Meqenëse jetojmë në një shoqëri multikulturore dhe multikonfesionale, na thoni se si janë pritur këto nisma nga prindërit myslimanë, por edhe nga ata jomyslimanë ose thjesht, edhe nga publiku zviceran?

Rehan Neziri: Fillimisht nga prindërit myslimanë dhe nga mbarë komuniteti mysliman këtu, këto nisma janë pritur me ngazëllim dhe me një ndjenjë të barasvlerësimit të tyre dhe të fëmijëve në shoqëri, por veçmas në ambientet shkollore. Prandaj edhe interesimi i tyre dhe i nxënësve te ne në Kreuzlingen nuk ka rënë asnjëherë nën 80 % nga numri i përgjithshëm i nxënësve myslimanë, edhe përkundër faktit se ky mësim nuk është i obligueshëm, por fakultativ. Nga ana tjetër edhe mësuesit dhe shkollat kanë përfituar, ngase këta fëmijë kanë fituar vlera dhe kompetenca shtesë në jetën e tyre, mësuesi i lëndës së fesë shërben edhe si një lloj mediatori (ndërmjetësuesi) apo referencë, kur janë në pyetje çështjet që kanë të bëjnë me Islamin dhe me myslimanët. Le ta theksoj edhe një herë rolin integrues të këtij mësimi fetar për fëmijët dhe prindërit e tyre në shoqërinë shumicë, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe një studim shkencor vlerësues i kryer nga instituti „kultureval“ i Cyrihut, kur ishte në pyetje mësimi fetar islam në Kreuzlingen, të cilin mbase e kam përmendur shpesh në këtë bisedën tonë. Këtë nuk e kam bërë rastësisht, por nga arsyeja se e njoh më mirë ngase jam vetë i involvuar në të dhe nga arsyeja se ky projekt yni në Kreuzlingen është duke shërbyer si model edhe për qytetet e tjera, ku siç përmenda më parë, në fillimvitin shkollor që vjen do të nisë edhe atje mësimi fetar islam.

Intervistoi: Irfan Agushi /albinfo