Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme në procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit, pas vërejtjes së mospërputhjeve në rezultatet e kandidatëve për deputet.
Sipas njoftimit zyrtar, Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj prokurorie, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka konstatuar mospërputhje pas përfundimit të rinumërimit në Drenas.
Në këtë kontekst, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave, evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës dhe sigurimin e provave përkatëse.
Prokuroria bën të ditur se procesi i rinumërimit po përcillet nga afër edhe në komunat tjera që bien në kompetencën e saj. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullimin e informatave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.







