Prokuroria e Shtetit ka kërkuar hetime për çdo raport të auditimit

Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate për media ka njoftuar se të gjitha raportet që janë kryer nga Auditori i Përgjithshëm dhe janë gjetur shkelje janë dërguar në prokurorit kompetente dhe për të njëjtat ka kërkuar hetime.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se të gjitha raportet e pranuara nga Auditori i Përgjithshëm, menjëherë sapo i ka pranuar i ka dërguar në prokuroritë kompetente dhe ka kërkuar nga të njëjtat që të fillojnë veprimet hetimore sipas ligjit”, thuhet në komunikatë, shkruan Indeksonline.

Asnjë raport nuk do të mbetet pa u shqyrtuar, thuhet në njoftim.

“Andaj, asnjë raport i pranuar nga Auditori i Përgjithshëm nuk do të mbetet pa u shqyrtuar nga prokuroritë kompetente të Republikës së Kosovës. Po ashtu, siç është njoftuar opinioni edhe më herët, çështjet e prokurimit do të trajtohen me prioritet, ashtu siç janë pajtuar në takimet e Kryeprokurorit të Shtetit me Auditorin e Përgjithshëm dhe me Drejtorin e agjencisë Kosovarë Kundër Korrupsionit”, përfundon komunikata.

Ndryshe raporti i Auditorit ka gjetur shkelje nëpër shumë institucione që kanë bërë shpenzime jashtë ligjit, pagesa jashtë vijave buxhetore dhe shkelje të ndryshme.