Prokuroria inicon rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka inicuar rast në drejtim të veprës penale “ngacmimi seksual” ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas KPRK-së”.

“Ashtu siç iu kemi njoftuar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht mund t’iu konfirmojmë se në kuadër të veprimeve hetimore janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe veprime të tjera, konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj.

Sot Këshilli i Etikës i ka rekomanduar Rektoratit pezullimin e Krasniqit, vendim të cilin më pas e ka marrë Rektori, Qerim Qerimi.