Prokuroria ka ndryshuar qasjen në intervistimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Pesëmbëdhjetë viktima deri më tani kanë dhënë rrëfimet e tyre në Prokurorinë Speciale të Kosovës për dhunën seksuale që u ka ndodhur atyre gjatë luftës në Kosovë.

Në mesin e tyre, përveç grave, ka edhe burra të cilët gjatë luftës në Kosovë përjetuan dhunë seksuale, raporton KTV.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, thotë se tashmë kanë nisur një bashkëpunim me Policinë për krime të luftës dhe Prokurorinë për t’u trajtuar këto raste.

Rushiti thotë se janë mijëra dëshmi që janë marrë nga misioni i UNMIK-ut, por që në to ende nuk kanë qasje institucionet e drejtësisë në Kosovë.

E derisa në kohën kur me këto raste merrej misioni i UNMIK-ut dhe më pas ai i EULEX-it ku viktimat duke u intervistuar në vendbanimet e tyre ekspozoheshin dhe pas intervistimit, gjendja e tyre psikike rëndohej, mënyra e intervistimit të tyre tashmë ka ndryshuar.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë asnjë përgjigje se deri ku kanë shkuar hetimet dhe a pritet që së shpejti të ketë ndonjë aktakuzë për këto raste.

Ka katër ditë që “Kohavisioni” ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht nga prokurorja Drita Hajdari, e cila po merret me këto raste.

Por, pavarësisht faktit se Hajdari fillimisht kishte premtuar, ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve të KTV-së.

Deri më tani në Kosovë nuk ka persona, të cilët janë dënuar për dhunimet seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, derisa konsiderohet se qindra gra e vajza u dhunuan gjatë kësaj periudhe.

Rasti i fundit është i Vasfije Krasniqi- Goodamn, në të cilin, me gjithë dëshmitë dhe provat e ofruara, Gjykata Supreme mori vendim që dy serbët e akuzuar për dhunim, t’i lirojë si të pafajshëm.