Propozohet që nga 22 marsi të gjitha nivelet arsimore në pushim një javorë, nesër merret vendimi

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se ditën e nesërme do të vlerësojnë së bashku me MASHT-in dhe do të marrim një vendim përfundimtar, që të ketë një shkuarje të parakohshme në pushim në të gjitha nivelet arsimore.

“Në javën e fundit ka pas rritje të rasteve, ne edhe dje se bashku më Institutin edhe Kryeministrinë dhe sot. Ministria e Arsimit është angazhuar dhe kanë sjell rekomandimet e tyre. Ne nesër do të marrim një vendim përfundimtar sipas IKSHPK-së, që të kemi një shkuarje të parakohshme të pushimit në të gjitha nivelet arsimore”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se interesimi i tyre është që të shkojnë pesë ditë përpara.

“Gjatë kësaj jave do të bëjmë vlerësimin e Ministrisë së Arsimit dhe javën tjetër do të shohim a do të vazhdojmë më mësim online apo të ndërpresim mësimin për dy javë për ta ulur pozitivitetin e rasteve te nxënësit por edhe të arsimtarët”, ka thënë Zemaj.

Kurse zëvendësministri në detyrë i arsimit, Xhavit Rexhaj ka thënë se si ministri kanë propozuar që në këtë javë të parë fëmijët të mos shkojnë në mësim online.

“Ne si ministri kemi propozuar që të shkojmë me një version që fëmijët këtë javë të parë të mos shkojnë në mësim online. Kemi propozuar 1+1, një javë pushim pastaj rishikim. Fëmijët në edukimin parashkollor të mos ndalen, kurse në universitet kemi propozuar një rishtrëngim të masave”, tha Rexhaj.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore, kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, thuhet në njoftim.