Protesta masive kundër masave shtrënguese të COVID në Berlin, ka përplasje me Policinë

Oficerët e policisë u përplasën me protestuesit të shtunën në Berlin, ku mijëra njerëz zhvilluan një marshim, kundër kufizimeve të lidhura me pandeminë Covid-19.

Disa protestues u përpoqën të kalonin përtej postblloqeve të ngritura nga forcat e rendit rreth ndërtesës së parlamentit dhe u përleshën me Policinë. Sipas “Berliner Zeitung”, katër policë u plagosën gjatë përplasjeve me protestuesit.

Sipas raportimeve paraprake, rreth 50 persona janë arrestuar.

Protestuesit, disa prej tyre ishin të veshur me maska, mbanin pankarta me parulla si “Unë kam mendimin tim” dhe “Covid-84”, i cili i referohet romanit të George Orwell “1984”.

Ky mobilizim bëhet një muaj para zgjedhjeve federale. Kandidatët kryesorë për kancelar janë zotuar se nuk do të ketë kthim në kufizimet e rrepta të vitit të kaluar dhe janë treguar hezitues për të pohuar nëse do e bëjnë vaksinimin me detyrim. /tiranapost