Fabula e fuqishme e autorit: prind e fëmijë, bashkë në shtëpi e përballje në rrugë
Në kohë të tilla dramatike ndodh të aktivizohen dhe shpirtëra të fortë poetikë, nga vargjet e të cilavë vizatohet mjeshtërisht një realitet deri në monumentalizim poetik.
Është moderatori, skenaristi dhe njëherësh poeti Pandi Laço ai që ka ndarë me publikun një krijim të tij brilant, duke luajtur me fabulën e një vajze studente në protestë ku përballë ka të atin…polic.
Në fakt ëshët deri diku një realitet i tillë, pasi vërtet që pas njerëzve më uniformë, të cilët psiqika e atyre që protestojnë kundër qeverisë i lexon si ushtarë të ashpër të kësaj të fundit, janë në të vërtetë prindër me po aq halle sa ata që mund t’i kenë fëmijët në protestë. Pse jo, edhe prindër protestuesish ku mund të ndodhë dhe një ballafaqim epik mes tyre plot dhimbje. Këtë përcjell dhe poezia e Pandi Laços, e përlotshme në epilogun e saj.
Mesnata ra mbi qytet,
Tetori fryn me fllad të lehtë,
Rrugët e sheshet janë ende të nxehtë!
Diku në periferi, një apartament i vjeter krejt!
Dhe një tryezë…
Që varfërohet gjith’ e më shumë – çdo ditë!
Ulur përballë, për një vakt të vonë!
Një burrë i lodhur!
Dhe një vajzë si dritë!
Burri që ende s’e paska heq,
Një uniformë blu!
Sytë po i mbyll,
E koka e rëndë gati po bjen,
Mbi tavolinë!
Vajza sytë kuq nga gazi i hedhur,
Veç sy shkreptimë!
Të dy të rëndë, si gurë malësie…
Buzëtharë pa fjalë,
T’u prit kush heshtjen kish me e thy!
Guxoi ajo…
– Nesër bab, shihemi prapë aty!








