Protestë para Kongresit të SHBA-së kundër sulmeve të Izraelit në Gaza

Një grup aktivistësh u mblodhën para ndërtesës së Kongresit Amerikan dhe mbajtën protestë të heshtur kundër vrasjes së foshnjave në bombardimet e rënda të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Aktivistët u mblodhën në shkallët e ndërtesës së Kongresit në kryeqytetin Washington, me flamuj palestinezë dhe arkivole simbolike të foshnjave, duke protestuar kundër sulmeve të Izraelit ndaj civilëve të Gazës dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.

Gjatë protestës u mbajtën edhe “trupa të mbështjellë me qefin” që simbolizonin foshnjat e vrara në Gaza. Në disa prej qefinëve ishin shkruar emrat dhe moshat e fëmijëve që humbën jetën në Gaza.

Demonstruesit, të cilët mbuluan gojën me shirita ku shkruhej “Censuruar”, theksuan se civilëve në Gaza u është hequr e drejta për të folur.

Protestuesit, me duar të lyera me ngjyrë të kuqe, njoftuan se gjatë gjithë javës do të zhvillojnë protesta të heshtura në kryeqytetin Washington.