Mijëra protestues kanë dalë të shtunën në rrugët e qyteteve të ndryshme të Spanjës, duke kërkuar më shumë mbrojtje për qiramarrësit, pasi qeveria dështoi të kalojë në Parlament një paketë masash emergjente për krizën e banesave.
Rreth 50 protesta janë planifikuar gjatë ditës në qytete si Madridi, Valencia dhe Barcelona. Në Valencia, ku një prej protestave tashmë ka nisur, janë raportuar edhe përplasje mes disa protestuesve dhe policisë.
“Ka shumë zemërim në rrugë”, ka thënë një zëdhënës i Sindikatës së Qiramarrësve të Valencias.
Masat e propozuara të premten nga qeveria e koalicionit të majtë të kryeministrit Pedro Sanchez erdhën pas reagimit të gjerë publik ndaj dëbimit nga banesa të një 87-vjeçareje muajin e kaluar, pasi ajo nuk kishte mundësi ta përballonte rritjen e madhe të qirasë.
Dëbimi i saj nxiti protesta në mbarë Spanjën, me protestuesit që kërkuan uljen e qirave, ndalimin e dëbimeve dhe ndalimin e fondeve të investimeve – të cilat qeveria i ka cilësuar si “fonde grabitqare” – që të blejnë prona.
Humbja e qeverisë së Sanchezit në Kongres të premten ka rritur spekulimet se kryeministri mund të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat sipas afatit të rregullt do të mbaheshin verën e ardhshme.
Qeveria e koalicionit, e përbërë nga Partia Socialiste në pushtet dhe partneri i saj më i vogël, aleanca Sumar, nuk e ka shumicën në Parlament.








