Provojini që tani, ja si mund të përgatisni “Snickers” në shtëpi

Të na falin të gjithë ata/ato që jane me dietë, por receta e sotme është një bombë e vërtetë. Jemi të bindur që do t’ju shtojë nepsin teksa e lexoni, jo më kur ta provoni, ndaj merrini masat që më parë.

PËRBËRËSIT: 6 lugë gjelle gjalpë kikiriku, 6 lugë gjelle shurup agave (ose mjaltë), 100 g gjalpë kakao (ose vaj kokosi), 70 g kikirikë, 70 g Cashews (arra shqeme), 30 g amaranti ose oriz kaf, 125 g hurma Arabie pa fara dhe 35 g pluhur kakao.

PËRGATITJA: Përpara se të filloni bazën, vendosni hurmat arabe në një tas dhe hidhni mbi to ujë të vluar. Lërini mënjanë.

Për bazën: Vendosni letër pjekjeje në një tepsi. Prisni përafërsisht kikirikët dhe Casheës. Shkrini gjalpin e kakaos në mikrovalë ose në një tenxhere sipër sobës. Hidhni mjaltë dhe gjalpin e kikirikut dhe më pas përzieni arrat dhe orizin kaf ose amarantin. Shtrojeni përzierjen në tepsi.

Për karamelin: Kulloni hurmat arabe, vendosini në blender dhe përziejini derisa të përftoni një pastë të lëmuar. Përhapeni sipër shtresës bazë.

Për shtresën e çokollatës: Shkrini gjalpin e kakaos në mikrovalë ose në një tenxhere sipër sobës. Përzieni shurupin e agave/mjaltit dhe më pas pluhurin e kakaos. E derdhni sipër shtresës së hurmës dhe e vendosim në frigorifer për t’u forcuar. Priteni në katrorë dhe ruajeni në një enë hermetike.