A po i shërbejnë kundërshtarët njëri-tjetrit, duke mbyllur rrugën për çdo alternativë të re?
Pse Sali Berisha nxitoi, pas një jave protestash, të marrë pronësinë politike të revoltës së studentëve dhe gjimnazistëve, duke rrezikuar ta njollosë atë me trashëgiminë e tij problematike dhe historinë e një force politike që drejton prej 36 vitesh?
Pse, pikërisht kur një brez i ri po shpreh zemërimin ndaj qeverisë dhe gjithë klasës politike, kreu i opozitës kërkon të dalë në plan të parë, në vend që t’u lërë të rinjve hapësirën për të folur në emrin e tyre?
Dje Berisha deklaroi se Forumi Rinor i PD-së kishte qenë ndër nismëtarët e protestës dhe se deputetët e opozitës do të bëheshin zëri i kërkesave të studentëve dhe gjimnazistëve.
Ai këmbënguli se protesta u përket të rinjve, por njëkohësisht shpalli përfshirjen e plotë të partisë së tij.
Këtu qëndron kontradikta: si mund të mbrohet pavarësia e një lëvizjeje, ndërsa një parti e identifikuar me politikën e vjetër përpiqet ta përfaqësojë atë?
Pyetja bëhet edhe më e rëndësishme nëse kemi parasysh se pakënaqësia e të rinjve nuk drejtohet vetëm kundër Edi Ramës.
Ajo prek një sistem politik që, pavarësisht rotacionit të pushtetit, vazhdon të dominohet nga të njëjtat figura dhe të njëjtat mënyra të të bërit politikë.
A u shqetësua Berisha se refuzimi i tij dhe i deputetëve të PD-së për t’iu bashkuar protestës sipas pritshmërive të të rinjve po e nxirrte jashtë loje?
A e kuptoi se, nëse protesta do të vazhdonte pa vulën e tij, mund të lindte një alternativë që nuk i detyrohej as Ramës, as Berishës?
Ndërkohë, Rama ka fituar pikërisht argumentin që i nevojitet për të kaluar në ofensivë. Tani mund të pretendojë se pas protestës nuk qëndrojnë të rinj të revoltuar nga qeveria dhe politika e vjetër, por militantë të opozitës që synojnë të marrin pushtetin.
Kështu, vëmendja largohet nga arsyet e revoltës dhe zhvendoset te identiteti politik i atyre që marrin pjesë në të.
Në vend që qeveria të përgjigjet korrupsionin, Berisha kërkon të përvetësojë revoltën e të rinjve, ndërsa Rama e përdor këtë për të delegjitimuar protestën.
A po i shërbejnë kundërshtarët njëri-tjetrit, duke mbyllur rrugën për çdo alternativë të re? /tesheshi





