Teherani beson se ka fituar më shumë fuqi negociuese
Lufta në Iran dhe mundësia e rifillimit të saj, kanë qenë ndër çështjet kryesore të diskutimeve në samitin e Shenzhenit, ku Donald Trump dhe Xi Jinping zhvilluan bisedime dypalëshe, përpara takimit me pjesëmarrjen edhe të presidentit rus Vladimir Putin.
Megjithatë, çështja iraniane nuk u përfshi në komunikatën përfundimtare, pasi palët nuk arritën të gjenin një qëndrim të përbashkët që mund të bëhej publik.
Negociatat diplomatike pritet të vazhdojnë në prag të samitit të G20-s, që do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor në klubin e golfit të Trumpit në Miami.
Ndërkohë, një përpjekje e re për të zhbllokuar negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit është duke u zhvilluar përmes ndërmjetësve të Gjirit Persik.
Sipas informacioneve diplomatike të mbledhura në mënyrë jozyrtare, gjatë takimit të “Med Dialogues” në Napoli, Katari, së bashku me Pakistanin dhe Egjiptin, ka përcjellë në Teheran një propozim të ri amerikan.
Plani përmban dy pika kryesore: rihapjen e Ngushticës së Hormuzit në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Shtëpia e Bardhë shpreson se një marrëveshje e tillë do të krijonte kushtet për rifillimin e negociatave më të gjera, veçanërisht për programin bërthamor iranian.
Por Teherani nuk po nxiton të përgjigjet. Të premten, Trump deklaroi para gazetarëve se Irani kërkon një marrëveshje që është e papranueshme për Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, sipas diplomatëve të vendeve të Gjirit, problemi qëndron më tepër te bindja e udhëheqjes iraniane se pozitat e saj negociuese janë forcuar ndjeshëm.
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, e konsideruar një goditje e rëndë politike për Trumpin, duket se ka ndikuar në llogaritjet e Teheranit.
Diplomatët e Gjirit, vlerësojnë se regjimi iranian ka rifituar besimin dhe mendon se ka më shumë hapësirë për t’u bërë presion amerikanëve. Instrumenti kryesor i këtij presioni mbetet kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të naftës.
Gjatë takimit në Shenzhen, Trump dhe delegacioni i tij, ku një rol aktiv luajti edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i kërkuan presidentit kinez Xi Jinping të ndërhynte për të bindur Teheranin të rikthehej në tryezën e negociatave.
Por Pekini nuk mori përsipër asnjë angazhim konkret. Çështja mbeti jashtë deklaratës përfundimtare, ndërsa kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Pekinit pritet të vazhdojnë deri në samitin e G20-s në Florida.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, atmosfera mes diplomatëve dhe analistëve mbetet pesimiste. Gjatë konferencës “Med Dialogues”, organizuar në Napoli nga Instituti për Studime të Politikës Ndërkombëtare (ISPI) dhe Ministria e Jashtme italiane, disa ekspertë paralajmëruan se një përshkallëzim i ri ushtarak nuk mund të përjashtohet.
Në një panel të moderuar nga Mariangela Zappia, ish-ambasadore e Italisë në Uashington dhe presidente e ISPI-t, William Wechster nga Atlantic Council, Nomi Bar-Yaacov nga Centre for Security Policy në Gjenevë dhe Merissa Khurma nga Amena Strategies në Jordani e cilësuan një luftë të hapur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara si një mundësi reale.
Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, të tre ekspertët ndanë të njëjtin shqetësim për brishtësinë e situatës. Një faktor tjetër që mund të ndikojë në zhvillimet e ardhshme është Benjamin Netanyahu.
Kryeministri izraelit, i cili sapo ka pësuar humbje në zgjedhje, po kontakton çdo ditë Shtëpinë e Bardhë për të bindur Trumpin të rifillojë bombardimet ndaj Iranit.
Kështu, ndërsa diplomacia përpiqet të gjejë një rrugëdalje, presioni për një rikthim te përballja ushtarake vazhdon të rritet. Dhe fakti që Teherani nuk po nxiton të negociojë e bën edhe më të pasigurt perspektivën e një marrëveshjeje. \tesheshi







