Pse Miroslav Lajçaku po shkel nëpër mina!?

Agim Popoci

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pas një dështimi total në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje, kur Veriu po gëlon me kriminelë serbë dhe Josep Borreli po kërkon nga Albin Kurti ta shtensionojë situatën duke i lënë të qetë, Miroslav Lajçaku na thotë se në rrugëtimin e tij ka shumë mina, që nuk duhet t’i shkelë. Po kush i vendosi këto mina?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Janë mbi 100 shqiptarë që jetojnë në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, që pasi kanë rënë në minat serbe, kanë mbetur invalidë të përjetshëm. Në fillim ishin ca shoqata humanitare që i ndihmuan me ca pajisje për t’ju lehtësuar jetën, por nuk u mor më njeri me ta, përveçse mbetën pjesë e statistikës së OKB-së si njerëz që kanë rënë në minat antikëmbësorike serbe!

Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës, që nga dita e parë që janë ulur në fronin e drejtimit të shtetit, nuk e kanë çarë kokën për këta njerëz, që gjithsesi janë hall shqiptar, edhe pse ranë në këto mina serbe për arsye të ndryshme, duke qenë sot edhe të ndërgjegjshëm pse nuk iu shtri dora nga dy shtetet shqiptare! Dhe, sot, ju vjen dita që të dyja këto shtete të detyrohen ta ndihmojnë njeriun i cili nuk e njeh fare shtetin e Kosovës, vjen si i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, me mbështetjen pa rezervë të Këshillit Europian, vetëm pse thotë se rruga nëpër të cilën ai po shkel është e minuar dhe ka shkelur në një minë!

Por, kë quan Miroslav Lajçak minë të cilën e ka shkelur?!

I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi thotë se zgjedhjet lokale ishin mina, që për fat të keq i kanë shkelur dhe, çuditërisht, pas shumë viteve dështim, ai sot thotë se BE-ja e di saktë se çfarë duhet bërë! Dhe, gjithë çfarë bëri deri më sot është sanksionimi i Kosovës për këtë vendosje të minave nga Beogradi!

Ndonëse shteti kriminal serb që nga dita e parë e shpërthimit të konfliktit në Jugosllavi, në fillimvitet e ’90-ta, filloi ta mbushë me mina gjithë territorin që e konsideronte të paarritshëm për shtetin e ri që filloi ta krijojë, mina këto që shkaktuan shumë viktima si në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa sot, pas 30 viteve, ne dëgjojmë nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi se rruga dialoguese nëpër të cilën ai po shkel për ta lehtësuar, ku palë është dhe Beogradi zyrtar, na paska mina!

Para se ta artikulonte i dërguari Borrellit, këtë e kanë thënë të gjithë shqiptarët e përfshirë në dialogun me Serbinë, ashtu siç i kanë bërë të qartë edhe për Marrëveshjen e Marsit që nuk është kurrfarë momenti historik kur Vuçiqi e priti me minë në dorë, ndonëse Miroslav Lajçaku vazhdon ta konsideroj një moment historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Se kur do ta kuptoj BE-ja dhe i dërguari i saj për këtë dialog që zvarritet pa lidhje, kjo nuk dihet, por zgjedhjet lokale ishin një minë me sahat të cilën e vendosi në sy të botës vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kjo nuk ka lidhje as me Kosovën dhe as me kryeministrin e saj, Albin Kurti, pavarësisht se çfarë broçkullis opozita kosovare dhe fërkon duart për pushtet “sepse dialogu po dështon!”.

Sikur shtetasve shqiptarë, ashtu dhe ushtarit hungarez të KFOR-it që pësoi në protestat e kriminelëve serbë në veri, nuk ka njeri në këtë tokë që mund t’ua kthejë gjymtyrët, por fajtori është një dhe i vetëm, pavarësisht dialogut shqiptaro-serb – Serbia!

Gjithashtu, zgjedhjet në Veri nuk ka njeri në këtë tokë të thotë se i plotësojnë standardet ndërkombëtare nëse në këto zgjedhje nuk marrin pjesë serbët lokalë, që aktualisht janë shumicë, dhe për pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen e tyre, fatkeqësisht, sërish fajtor është një dhe i vetëm – Serbia!

Mina serbe kudo

Nëse i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e di se çfarë duhet bërë, ndërsa vazhdon ta lejojë Serbinë të vendosë mina përgjatë rrugës nëpër të cilën po ec, të gjithë duhet ta kenë të qartë si ai, ashtu si edhe shefi i tij, Borrell, se kjo rrugë përplot me “mina tokësore” nuk çminohet duke e sanksionuar Kosovën!

Për ta kuptuar problemin e madh të një toke të minuar ku duhet të shkelë, Miroslav Lajçaku duhet ta sakrifikojë një udhëtim drejt Bratislavës dhe t’i drejtohet Republikës Srpska, ku mbi 200 kilometra katrorë janë të minuara, për ta kuptuar se populli kriminel serb e minon edhe vendin ku jeton vetë! Në rast se edhe pas kësaj vizite mbetet i pasqaruar, mund të takoj togat pafund të çminimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë, që janë përballur me serbët që i kanë ftuar pasi kanë hasur në mina në ambientet ku jetojnë!

Si dëshmitar okular gjatë realizimit të një dokumentari, rastisa të jem pjesë e një operacioni të çminimit në një stallë të një fshati afër Sarajevës. Pas largimit të dy minave, fshatari serb, sapo mori vesh se bëhet fjalë për ushtri shqiptare, u xhindos më keq se Lajçaku që ka ra në minën serbe të zgjedhjeve në veri të Kosovës!

– Pse reagon kështu? – e pyeta!

– Ku kemi ardhut! – më tha – më mirë të më kishte goditë rrufeja se sa që ma shpëton jetën time dhe të lopës që kam në stallë, një shqiptar!

– Nga je? – më pyeti, ndërsa unë i mpirë nga ky përjetim serb vazhdova pa fjalë duke dalë nga avllia e tij, ndërsa po mendoja se mos isha unë fajtori që ia shpjegova atij fshatari serb se i cilit shteti ishte flamuri që mbanin në krah ushtarët e togës shqiptare së çminimit!

Ashtu siç jam sot pa fjalë, Unë dhe jo vetëm, i tillë jam edhe kur dëgjoj Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë Bashkimit Europian, Josep Borrell, që Albin Kurti është fajtor pse po zbaton ligjin në Kosovë; dhe, opozitën kosovare, që e akuzon Albin Kurti që e tensionon situatën, duke u përballur me krimin serb në Veri!

Dhe, në momentin kur pikën mbi “i” e vuri i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçaku, duke theksuar për të përditshmen austriake “Kurier” se ai e di saktësisht se çfarë duhet bërë, por ka shumë “mina tokësore” përgjatë kësaj rruge që nuk duhet t’i shkelë. As mos i shkel, as mos e çmino tokën e Kosovës, sepse kështu e duan serbët! Ndoshta ky është edhe misioni yt, Miroslav Lajçak, mision të cilin deri më sot vetëm opozita në Kosovë nuk e kuptuar!

Në fund, mos e kërko as arsyen pse presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i duhet kontrolli i kufirit me Serbinë dhe jo Asociacioni për të cilin po bënë luftën! Sot, kur kryeministër i Kosovës është Albin Kurti dhe korrupsioni në dogana është në vlera minimale, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Forumin e Prespës e tha më mirë se kushdo tjetër duke avancuar më shumë se homologët e tij që mburren kot, si Edi Rama që thotë se ka hapur kufijtë me Ballkanin e Hapur, por tashmë ai e ka kryer misionin, ashtu edhe noterja e Vuçiqit, Ana Bërnabiq, që shton në krah të Ramës se nuk beson se kryeministri Rama është kundër iniciativës “Ballkani i Hapur”: “Kufijtë që ekzistojnë aktualisht, mes vendeve që kanë regjim pa taksa me njëri-tjetrin, janë vetëm burim korrupsioni dhe asgjë tjetër!” /revistashenja