Ballina Artikuj Pse nuk jam ateist?

Pse nuk jam ateist?

Labinot Kunushevci

Citimi: Ata përpiqen ta mësojnë peshkun si të notojë!

Ateistët mendojnë se Zoti duhet të “zbulohet” përmes teleskopit, laboratorit, eksperimentit, ekuacionit, formulave, zbërthimeve, gjetjeve apo provave empirike. Por Zoti nuk matet me numra, as nuk vjen me zhurmë. Me këtë qasje nuk do ta “zbulojnë” Zotin kurrë!

Sepse Zoti nuk është gjetje, zbulim a shpikje, Zoti është besim. Zoti nuk është gjurmë fizike, Zoti është ndjenjë shpirtërore. Zoti nuk është hipotezë shkencore që konfirmohet apo hedhet poshtë. Ai është një prani e padukshme, por i urtë. Jo një “zot i maskuar” a “i patentuar”! Pra, Ai njihet përmes shenjave, strukturave.

Zoti është vetëdije e njeriut i cili harmonisë së universit, ligjeve të natyrës dhe krijimit të tij, ia beson dhe ia njeh një autor. Nëse për ateistët universi është absurd ose abstrakt, nëse universi ka krijuar vetveten pa shpjegim, besimtari ligjet e fizikës i sheh brenda një kodi kozmik të cilin ka arritur ta thyejë dhe ta lexojë mesazhin e Zotit brenda tij. Si e shpjegojnë ateistët se çfarë është jeta, çfarë është ndërgjegjja, çfarë është mendja dhe çfarë është uni?

Fizikanët nuk shpikin ligje të natyrës. Ata kanë për obligim vetëm që t’i zbulojnë ato dhe t’i lexojnë drejt si ligje që na njoftojnë me Zotin. Në Mendjen e Universit ata mund ta lexojnë Mendjen e Zotit. Duhet një mendje e çrregulluar për të besuar se ligjet e natyrës janë rezultate të rastësishme.

E një mendje e kthjellët e kupton se Zoti ka përdorur një matematikë të avansuar për ta krijuar botën dhe për t’i dhënë asaj funksion matematikor, biologjik, human, social e kulturor. A e keni kuptuar se si e humbin hapin dhe kursin ateistët kur përpiqen të shpjegojnë raportin ndërmjet materies dhe antimateries, kur duan ta zbulojnë antimaterien? Ata përpiqen ta mësojnë peshkun si të notojë!

Njeriu nuk ka nevojë ta testojë Zotin! Ai vetëm mund të kërkojë përgjigje prej Tij. Sepse Atë e gjen në realitetin e jetuar përmes shpirtit dhe ndërgjegjes. Zoti nuk është një konflikt për lirinë e njeriut. Besimtari nuk ngarkohet me kultin e liderit. Por as Zoti nuk ka nevojë për një komb të veçantë, për një parti të veçantë, për një racë të veçantë, për një superfuqi të veçantë, për një titull të veçantë, për një elitë të veçantë, që të prezantohet apo pranohet nga njerëzit. Zoti nuk është monopol kulture.

Një “zot” që ka varësi dhe nevojë, nuk është Zot! Unë nuk e dua Zotin për ta plotësuar “egon” e Tij. Por as nuk mund të protestoj ndaj kontrollit që ka Zoti mbi njerëzit, në emrin e lirisë pa përgjegjësi, lirisë pa kufi. Sepse Ai ka disa kompetenca mbinjerëzore dhe nuk mund ta zhveshi apo ta reduktojë prej tyre. As nuk është e nevojshme apo e drejtë që ta barazvlerësojmë Zotin me njeriun. “Mbinjeriu” është shpikja më e rrezikshme ideologjike. Njerëzit mund ta gjejnë Zotin në forma të ndryshme, jo vetëm nëpërmjet propagandës apo diskursit. Më shumë përmes njohjes së vetvetes. Por në një jetë mekanike, të automatizuar, monotone dhe banale, nuk gjendet Zoti.

Andaj revolta ndaj Zotit duket e ngutshme dhe jomaturi. Vdekja nuk është një çizme në qafën e njeriut. As nuk duhet frikësuar prej vdekjes. Ne gabimisht e tkurrim jetën duke menduar pa nevojë për vdekjen. Po, njeriu ka nevojë për drejtësi hyjnore dhe atë do ta gjejë në Ditën e Gjykimit. Ky besim e vë njeriun në ekuilibër. Por jo për një Zot ndaj të Cilit duhet “të frikësohesh” si frika nga e panjohura, si frika nga rreziku i mbijetesës, si frika nga hakmarrja e padrejtë, si frika nga keqpërdorimi i pushtetit absolut, si frika nga luani i xhunglës apo gjarpri helmues. Nëse dikush ndjen një lloj “frike” të tillë ndaj Zotit, ai duhet të shërohet te psikologu. Sepse kur njeriu e humbi frikën reale ndaj Zotit, kaloi në frikë neurotike ndaj njerëzve dhe fenomeneve.

Nëse besimi nuk ju sjellë paqe me veten, por ua shton konfuzionet dhe pasiguritë, më mirë mos besoni! Nëse besimi ju detyron t’i urreni jobesimtarët, më mirë mos besoni! Urrejeni mosbesimin, por me jobesimtarin dialogoni sepse ai mund të jetë një mik i mirë!

Për mua nuk është besimtar i sinqertë ai që e beson Zotin dhe ia shpreh dashurinë vetëm për shkak se ia ka premtuar parajsën. Besimtari i sinqertë e pranon Zotin edhe pa kushtin e parajsës, e dashuron Atë dhe i shpreh mirënjohje edhe nëse s’do të merrte prej Tij premtimin për parajsë. Një besim përtej tregtisë. Një dashuri hyjnore pa interesin e shpërblimit. Unë e favorizoj një besim që më shumë shprehet përmes lavdatave ndaj Zotit, sesa përmes kërkesave ndaj Zotit ndonëse janë legjitime.

Besimi nuk e shndërron njeriun në qenie inferiore, përkundrazi, e ruan atë nga “zoti ideologjik”, nga “zoti i pasioneve”, nga “zoti i sistemit”, nga “zoti i frikës”, nga “zoti i sëmundjes”, nga “zoti i përfitimit”, nga “zoti i momentit”, nga “zoti i partisë”, nga “zoti i shantazhit”, nga “zoti imagjinar”, nga “zoti i elitave”, nga “zoti i të varfërve”, nga “zoti i depresionit”, nga “zoti i lumturisë”, nga “zoti i hakmarrjes” e deri te rreziku më i madh: “vetvetja si zot” – “njeriu zot”.

Besimi e garanton dinjitetin e njeriut, nuk e lejon atë të shndërrohet në një turmë instinktive. Ai beson fuqishëm që përkulja ekskluzive i takon vetëm një Qenieje të Pakufishme, një Zoti që nuk kufizohet në koncepin kohë dhe hapësirë. Jo një Zoti që “vuan” për adhurimin tonë ndaj Tij apo që “vuan” për sundimin e Tij ndaj nesh, por që përmes adhurimit ta garantojë pacenueshmërinë e njeriut nga zotat e rrejshëm, që njeriu të mos bëhet moralisht i pakurrizorë.

Ateistët kanë argumente shterpe dhe nxitin polemika të kota: “Një njeri që rritet dhe jeton i izoluar nga bota, nuk mund ta njohë dhe ta besojë Zotin, prandaj Zoti s’ekziston – ai është një produkt kulturor!”; apo: “Pse Zoti rri indiferent dhe nuk i mbron viktimat? Pse Zoti historikisht ka toleruar gjakderdhje, luftëra, terror e spastrime etnike dhe nuk ka ndërhyrë t’i ndalte ato?”.

Ky mendim u shkon për shtati agjenturave që promovojnë ateizmin. E kanë vështirë ta lexojnë heshtjen e Zotit “inferior” dhe rolin inteligjent të Zotit si “produkt kulturor”. Janë më shumë një shtresë e frustruar e shoqërisë. Sepse ende nuk po arrijnë ta kuptojnë se armiku më i madh i njeriut është vetë ideologjia antinjerëzore që e krijoi vetë njeriu. Një ideologji që ka deformuar vetëdijen njerëzore, duke e paraqitur filozofinë materialiste si ideologji të vetme të jetës dhe duke margjinalizuar Zotin dhe sistemin human të vlerave.

Luftërat janë produkt i marrëzive njerëzore, jo i hyjnisë shembullore. Zoti ishte justifikim dhe keqpërdorim i historive të dhunës, jo frymëzim i drejtë. Zoti është mik i qytetërimit, armik i dhunës. Ai hidhërohet më së shumti me hipokrizinë e njerëzve, me dashurinë artificiale, me identitetet e maskuara, me manipulimet e fshehta, me gënjimin e vetvetes, me mashtrimin publik. Sa pak njerëz të sinqertë ka kjo botë, sa pak besim të sinqertë ka kjo botë!

Deri te ajo pyetja e famshme: “Nëse Zoti krijoi gjithçka, po Zotin kush e krijoi? A e krijoi Ai vetveten?” Në fakt, edhe sikur ta gjenin “Krijuesin e Krijuesit”, ateistët do të vazhdonin me pyetje pafund: “Po Krijuesin e Krijuesit kush e krijoi?”, që në esencë tregon vetëm fantazinë e tyre të pakufishme. Kureshtja për të gjetur shkakun e Universit është kureshtje e shëndoshë, por kureshtja për të gjetur shkakun e Zotit kthehet shpejt në dëshprim. Sepse Zoti është i pa Fillim dhe i pa Mbarim.

Ndërsa jobesimtari ka një logjikë se lëndët inogranike kanë formuar qelizën organike, se jeta krijoi vetveten, krejt rastësisht! A mundet nga diçka e pajetë, nga hiçi, të vijë diçka në jetë? A mund të prodhohet vetëdija e rregulli nga kaosi? A është organizmi një produkt i verbër i natyrës? Kjo ishte një shpëlarje e trurit që e prodhoi Teoria e Evolucionit. Jeta është shumë më elegante dhe inteligjente për të qenë produkt i rastësisë.

Unë besoj se ne jemi pjesë e një plani të madh hyjnor dhe nuk vijmë nga aksidenti. Vetëdija jonë nuk lindi nga pluhuri. Truri jonë është një mrekulli që nuk imitohet, rikrijohet apo riciklohet. E si mund të jetë truri një vepër e rastësishme biologjike? A nuk është truri një galaktikë brenda kokës tonë? Të gjitha gjallesat janë të krijuara nga Zoti i Gjithësisë, nuk janë produkt i evolucionit. Krijimi është proces kompleks i mozaikut të larmishëm të organizmave me mjeshtri dhe inteligjencë hyjnore. Ato janë krijuar të ndara nga njëra-tjetra, nuk kanë paraardhës të përbashkët, me forma dhe funksione të përsosura, secila me ADN të veçantë. Asesi nga trungu evolucionar. Pema evolucionare që na e mësuan në shkolla ishte mashtrimi më i madh. Nuk është njeriu një gabim apo pasojë që ecën në Tokë.

Mosbesimi është i prirur t’i shndërrojë njerëzit në armiq të njëri-tjetrit, në racistë, egoistë, etno-centrikë, arrogantë, mosmirënjohës, mohues, që rebelohen ndaj fjalëve të Zotit dhe arratisen nga liria hyjnore e garantuar prej Tij. Mosbesimi i bën mendjelehtët të mos mendojnë për vete, sepse ka kush mendon për ta. Prandaj Zoti nga qielli nuk zbriti armë, por zbriti fjalë dhe libra.

Jobesimtarët do të jetojnë gjithmonë në një mister të komplikuar e të pazgjidhur, në një theqafje ideologjike, në dilema të panevojshme e në barriera psikologjike e emocionale. Të ndikuar nga filozofët materialistë, ata kanë shpikur arbitraritetin e Zotit si dhunë historike. Ata e kanë shumë vështirë të funksionojnë në kurthet e jetës, e kanë shumë vështirë të ngushllohen në humbjet e jetës. Jeta është vetëm një aventurë për jobesimtarët, që në fund lë shije të hidhur. Me një shpirt të korruptuar nga zotat e rrejshëm, jobesimtarët përjetojnë rrëmujë psikologjike, gjë të cilën e mbajnë fshehtë sepse përmbajtjen e depresionit e mbështjellin me gëzofin e lumturisë.

Unë fare s’do ta besoja Zotin më shumë nëse Atë do ta shihja me sy çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. As nëse të gjithë shkencëtarët e botës do të bëheshin tani besimtarë, besimi im do të ishte i njëjtë. As nëse të gjithë shkencëtarët do bëheshin tani jobesimtarë, besimi im nuk do të interferohej prej tyre. Sepse besimit tim nuk i duhet një konfirmim apo protokoll, as trashëgimi. Gjuha e brendshme e kodit tim gjenetik dhe e sistemit tim organik e psikologjik flet qartë për një Autor. Unë atë gjuhë e kuptoj. Kjo nuk është utopi! As iluzion, as opium. Prandaj s’jam ateist.

Do t’i sugjeroja secilit ateist që ta lexojë librin e filozofit të njohur, ish-ateistit më të madh të shekullit XX, Antony Flew, me titull “Zoti *nuk* ekziston – Si e ndryshoi mendjen ateisti më i famshëm në botë”, botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “ALPHABET J&H”, Prishtinë, 2024.

Labinot Kunushevci