Punësimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor, Kosova në fund të listës (Video)

Udhëheqësi i projektit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Nand Shani në një intervistë të dhënë për Telegrafin ka folur rreth papunësisë në Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se nga të dhënat e publikuara nga ky këshill, Kosova ka pozicionin më të keq.

“Problemi i punësimit është njëra nga sfidat kryesore të vendeve të Ballkanit. Mesatarisht në gjithë Ballkanin niveli i papunësisë i moshës 15-24-vjeç është 35%. Ndërsa papunësia e përgjithshme është 16%  në gjithë Ballkanin. Papunësia e të rinjve është dy herë më e lartë sesa papunësia e përgjithshme. Kjo tregon se ka një problematik të thellë sa i përket tranzicionit të të rinjve nga shkolla në tregun e punës”, ka thënë Shani

Shani tregoi përqindjen e personave të papunë në Kosovë.

“Papunësia e të rinjve në Kosovë është më shumë se 50 %, nëse je i ri edhe je në punë në Kosovë ti je në minorancë në Kosovë. Gjithashtu edhe një statistike shumë e rëndësishme për të rinjtë, të rinjtë që nuk janë në arsim, punë apo trajnim. Përqindja e këtyre në Ballkanin Perëndimor është 22% në Ballkan. Në Kosovës është 30% këta të rinj janë të përjashtuar nga  tregu i punës dhe tregu i arsimit, janë të margjinalizuar”, pohoi ai.

Mes tjerash, Shani tha se Kosova ka një popullsi të re në krahasim me vendet tjera të rajonit, dhe se çdo vit tregut të punës i shtohet një numër i madh i të rinjve dhe se  tregu i punës nuk është i gatshëm të iu ofrojë kushte për punësim këtyre personave.