Putin dhe Macron zhvillojnë bisedë telefonike për Sirinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike kanë diskutuar për çështjen e Sirisë dhe Ukrainës, transmeton Andolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga qendra për shtyp e Kremlinit, Putin dhe Macron kanë biseduar për situatën në Siri, ku kanë vlerësuar hapat për të përmirësuar negociatat në Gjenevë, në përputhje me konkluzionet e Kongresit Kombëtar të Dialogut Sirian të mbajtur në Soçi.

Dy liderët, të cilët theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes Rusisë dhe Francës në zgjidhjen e krizës siriane, kanë shprehur të njëjtin mendim se kriza në Siri duhet të zgjidhet në rrugë politike në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Putin dhe Macron biseduan gjithashtu mbi hapat që duhen ndërmarrë për të zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Minskut për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.