Putin nënshkruan dekretin për njohjen e pavarësisë së zonave të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që njeh pavarësinë e dy rajoneve të shkëputura në Ukrainën lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska, duke përshkallëzuar frikën e Perëndimit për një pushtim të afërt të Ukrainës.

Putin e bëri njoftimin në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror të hënën në mbrëmje, ku gjithashtu vuri në pikëpyetje shtetësinë e Ukrainës duke e përshkruar udhëheqjen e vendit nën kontrollin e Perëndimit.

Lideri i Kremlinit zhvilloi më herët një takim me Këshillin e Sigurimit për të diskutuar çështjen nëse zonat separatiste të Donetskut dhe Luhanskut duhet të njihen si shtete të pavarura.

Udhëheqësit separatistë pro-rusë në Luhansk dhe Donetsk i kishin kërkuar njohjen e tyre Putinit më herët.

Luhansku dhe Donetsku, të cilat janë pjesë më e gjerë e rajonit të Donbasit të dominuar nga rusishtfolësit, kishin shpallur pavarësinë nga Ukraina në vitin 2014, por asnjë vend deri më tani nuk i kishte njohur ato si shtete sovrane.

Në Uashington dhe kryeqytetet evropiane ka shqetësime se njohja e Moskës do t’i hapë dyert Rusisë për të ndërhyrë me forcat.

Luftimet janë ndezur në Donbass midis rebelëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase, duke rritur shqetësimet se kjo mund të bëhet pika e ndezjes së një lufte më të gjerë dhe pushtimi rus. Moska ka mohuar të ketë ndonjë plan të tillë. /atsh