Putin: Perëndimi dështoi të na izolonte, shkuam në tregjet e së ardhmes

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pretenduar se sanksionet e shteteve perëndimore kanë dështuar ta izolojnë ekonominë e Rusisë, shkruan BBC.

Shumë shtete perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe BE-në, vendosën ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për individët rusë dhe shtrënguan tregtinë me Rusinë pasi ajo pushtoi Ukrainën.

Por Putini ka thënë se sanksionet ndaj Rusisë nuk kishin arritur ta izolonin atë dhe në vend të kësaj çuan në një “zgjerim të tregtisë së saj me tregjet e së ardhmes”.

Ai vlerësoi marrëveshjet e reja me vendet në Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine – duke i quajtur ata “partnerë të besueshëm dhe të përgjegjshëm”.

Duke i quajtur “tregjet e së ardhmes”, ai goditi vendet perëndimore, duke thënë se “sistemi ndërkombëtar neokolonial ka pushuar së ekzistuari, ndërsa rendi global multipolar nga ana tjetër po forcohet, ky është një proces i pashmangshëm”. /koha