Putin: Rusia është e gatshme të rrisë eksportin e gazit

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të mërkurën se, Moska është “e gatshme” të rrisë eksportin e gazit, ndërkohë që disa vende në Evropë e akuzojnë Moskën se me qëllim nuk po rrit furnizimet teksa kontinenti po përballet me krizë të gazit.

“Nëse na kërkojnë që të rrisim më shumë furnizimet, ne jemi të gatshëm të veprojmë ashtu. Ne i rrisim furnizimet aq sa na e kërkojnë partnerët tanë”, ka thënë Putin në një forum për energji në Moskë.
Putin ka thënë po ashtu se Rusia mëton të bëhet neutrale në karbon deri më 2060.

“Rusia në praktikë synon neutralitet në karbon për ekonominë e saj”, ka thënë ai nga kryeqyteti rus.

“Dhe ne kemi vënë në një afat për këtë gjë – jo më vonë se 2060”.

Duke folur për të ardhmen e tregut botëror të energjisë, Putin ka thënë se “roli i naftës dhe gazit do të bie”.

Ndonëse presidenti rus ka qenë skeptik për disa vjet rreth ndikimit të njeriut në ndryshimet kimatike, ai duket se ka ndryshuar tonin në vjetët e fundit.

“Planetit i duhen veprime të përgjegjshme nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut – si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët – për t’u fokusuar në periudhë afatgjatë në interesat e zhvillimit të qëndrueshëm për të gjitha shtetet tona”, ka thënë Putin të mërkurën.

Aktualisht Rusia është e katërta në botë për emetime të karbonit dhe kritikët thonë se ky shtet është duke bërë pak për ta zvogëluar krizën.

Sipas shumë shkencëtarëve, Rusia – sidomos rajonet e Siberisë dhe Arktikut – është në mesin e shteteve më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike. /rel