Putin-Scholz diskutojnë luftën në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin për herë të parë që nga shtatori, lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, njoftoi sot Kremlini.

Kremlini tha se gjatë telefonatës me Scholz, presidenti rus Putin kishte shprehur shqetësimin e tij për vijën shkatërruese të shteteve perëndimore, përfshirë Gjermaninë, të cilat po furnizojnë me armë regjimin e Kievit dhe po trajnojnë ushtrinë ukrainase.

“Putin pretendon se mbështetja ushtarake nga vendet perëndimore e bëri Ukrainën të mos kërkonte negociata me Rusinë”, sipas deklaratës.

Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin gjithashtu i bëri thirrje Scholz të rishikojë politikën gjermane ndaj Ukrainës, duke i konsideruar sulmet e fundit raketore të Rusisë në Ukrainë, si një përgjigje ndaj provokimeve të Kievit, duke përfshirë sulmin ukrainas që dëmtoi rëndë urën ruse në gadishullin e aneksuar të Krimesë, në Detin e Zi.

Putin bëri thirrje gjithashtu për hetime ndërkombëtare ndaj sulmit terrorist në gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2” në Detin Baltik.

Shpërthimet hapën vrima në tubacione. Disa vende perëndimore dyshojnë se Rusia qëndron pas këtyre shpërthimeve. /atsh