Putin urdhëron trupat ruse të kryejnë “operacione paqeruajtëse” në Ukrainën lindore

Dy dekrete të ndara presidenciale urdhëruan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë të zhvillojë negociata për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me “republikat popullore” dhe për zyrtarizim të marrëveshjeve me dokumente përkatëse

Presidenti rus, Vladimir Putin, sonte vonë ka udhëzuar Forcat e Armatosura të Rusisë që të kryejnë funksione paqeruajtëse në të ashtuquajturat Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dy dekrete të ndara presidenciale urdhëruan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë të zhvillojë negociata për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me “republikat popullore” dhe për zyrtarizim të marrëveshjeve me dokumente përkatëse.

Dekretet po ashtu udhëzuan ministrinë ruse që të zhvillojë negociata me pjesëmarrjen e organeve përkatëse ekzekutive federale për përgatitjen e një projekt-traktati të miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, si dhe të paraqesë propozime për nënshkrimin e projekt-traktatit në mënyrë të përcaktuar.

Po ashtu u theksua se dekretet në fjalë kanë hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit të tyre.

Dekretet presidenciale vijnë pas njohjes nga Rusia të rajoneve separatiste të Ukrainës si shtete të pavarura.

Putin njoftoi njohjen e rajoneve të shkëputura nga Ukraina si të pavarura sonte vonë në një fjalim, si dhe po ashtu kritikoi Ukrainën, SHBA-në dhe Perëndimin për injorimin e shqetësimeve thelbësore të sigurisë së Moskës.

Së bashku me ngritjen ushtarake të Rusisë, së fundmi tensionet janë rritur në mënyrë dramatike në Ukrainën lindore, me raporte për një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, incidenteve të shumta të bombardimeve dhe evakuimit të civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse, Donetsk dhe Luhansk.

SHBA me aleatët e saj evropianë kanë theksuar se Rusia po përgatit skenën për të pushtuar Ukrainën pasi ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj.

Rusia ka mohuar se po përgatitet për të pushtuar dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj. /aa