Putini mbi përdorimin e aseteve ruse: BE nuk po ia del ta kryejë këtë grabitje

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha sot Bashkimi Evropian nuk po arrin të kryejë shpronësimin e aseteve të ngrira ruse, transmeton Anadolu.

Në konferencën vjetore për mediat në Moskë, Putini komentoi diskutimet rreth shpronësimit të aseteve të ngrira ruse në BE. Ai tha se kjo përpjekje po dështon për shkak të pasojave të rënda me të cilat do të përballeshin vetë autorët, duke argumentuar se “vjedhja” është përkufizim i papërshtatshëm për atë që po përpiqet të bëjë BE-ja.

“Vjedhja është një përvetësim sekret ndërsa ata po përpiqen ta bëjnë hapur. Është grabitje”, deklaroi ai.

Putini paralajmëroi se veprime të tilla janë të mbushura me “pasoja të tmerrshme për grabitësit”. “Nuk është vetëm një goditje për imazhin, por po dëmton edhe besimin global”, tha Putin.

Mjafton të bësh hapin e parë dhe më pas mund të zgjerohet në shtete të tjera me pretekste të ndryshme, tha ai. Si shembull, Putini përmendi kornizat ligjore në disa vende muslimane, ku miratohen ligje të rrepta për të mbrojtur vlerat tradicionale, duke vënë në dukje se BE-ja mund të ketë disa probleme me to.

“Thjesht duhet të fillosh ta bësh dhe pastaj mund ta bësh me pretekste të ndryshme. Për shembull, dikujt mund të mos i pëlqejnë ligjet në disa vende muslimane, të cilat kanë ligje të rrepta për të mbrojtur vlerat e tyre tradicionale”, tha presidenti rus.

Putini tha se Rusia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kryesisht në gjykata dhe do të gjejë një juridiksion që do të jetë i pavarur.

Duke shpjeguar pasojat, Putini shtoi se asetet supozohet të përdoren si garanci për kredinë dhe lëshimi i një kredie të siguruar nga asetet ruse do të thotë rritje e borxheve kombëtare dhe shtim i barrës në buxhetet tashmë të vështira të vendeve evropiane.

“Përveç humbjes së reputacionit, mund të ketë humbje të drejtpërdrejta që ndikojnë në parimet themelore të rendit botëror financiar modern. Dhe më e rëndësishmja, çfarëdo që të vjedhin dhe sido që ta bëjnë, herët a vonë do të duhet ta kthejnë”, tha ai.

Sipas tij, ky veprim sulmon themelet e sistemit financiar global, minon besimin në Eurozonë, duke alarmuar shumë vende që ruajnë rezerva atje.

“Sepse, sigurisht, shumë vende përveç Rusisë ruajnë rezervat e tyre të arit dhe të valutës në Eurozonë, përfshirë ato me burime të tepërta. Dhe ata po shikojnë se çfarë ndodh. Tashmë po shikojnë, kanë dyshime dhe frikë. Dhe nëse kjo ndodh? E dini, sapo të filloni, bëhet më e lehtë të replikoni nën pretekste të ndryshme”, tha presidenti rus.