Ai që pyet duhet të dijë të formulojë pyetjen me mirësi, sepse një pyetje e mirë është gjysma e dijes, siç është transmetuar; dhe në përputhje me këtë kuptim, pyetja duhet të jetë për ato çështje që ka dobi në to, domethënë të pyetet për një rast që e prek atë vetë ose të tjerët dhe për të cilin dëshiron të marrë një vendim. Ndërsa nuk duhet të pyetet për gjëra të imagjinuara apo të largëta nga realiteti; kjo hyn në kategorinë e “gabimeve në çështje” për të cilat transmetohet një hadith tek Ebu Daudi.
Disa nga sahabët e pyetën Profetin (a.s) për gjëra pa dobi, dhe ai u zemërua shumë për këtë. Për shembull, Abdullah ibn Hudhafe e pyeti: “Kush është im bir?” Një pyetje e tillë nuk ka ndonjë dobi, dhe nëse ai do të kishte një babë tjetër nga ai që njihet ndër njerëz, atëherë nëna e tij do të turpërohej dhe ai do të denigronte veten.
Omer ibn Hatabi ndëshkoi një njeri i cili i kishte kushtuar tërë kohën e tij të pyeste për çështje të ngjashme që nuk lidhen me ndonjë vendim praktik, dhe që ndjekja e tyre mund të sjellë vetëm debat e grindje pa vlerë, duke humbur kohë, duke shqetësuar mendjet dhe duke acaruar zemrat. Kur u pyet Imam Malik për kuptimin e “istiwā” në ajetin: “Ai u vendos mbi Arsh”, ai u zemërua dhe i tha pyetësit: “Istiwā është i njohur, mënyra e tij është e panjohur, besimi në të është i detyrueshëm, dhe pyetja për të është bidat”
Në të njëjtën mënyrë, është transmetuar në komentimin e Kuranit se disa muslimanë pyetën Profetin (a.s): “Përse hëna e re duket e hollë si fije dhe pastaj rritet deri bëhet e plotë dhe më pas zvogëlohet përsëri?” Allahu zbriti ajetin: “Të pyesin ty për hënat, thuaju: ato janë afate për njerëzit dhe për Haxhin”, Përgjigja e kësaj pyetje erdhi në atë formë që kishte vlerë dhe dobi në lidhje me besimin dhe jetën, që ishte e kuptueshme dhe më e dobishme për ta në atë kohë.
Të gjitha pyetjet e tjera të regjistruara në Kuran gjatë epokës së Profetit (a.s) ishin pyetje reale, të lidhura me jetën e tyre, jo me trillime, spekulime apo gabime që lindin nga dëshira për zbavitje, boshllëk, tregim të kotë, ose qëllime të ulëta që nuk kanë peshë në fe dhe moral.
Disa nga këto pyetje të përjetësuara nga Kur’ani janë: “Të pyesin për verën dhe kumarin”, “Të pyesin se çfarë të shpenzojnë”, “Të pyesin për jetimët”,“Të pyesin për menstruacionin”,“Të pyesin çfarë u lejohet”… etj.
Gjatë epokave të tyre të lulëzimit, muslimanët pyetnin për atë që do t’u sillte dobi në fe, në jetën materiale dhe në përgatitjen për ahiret. Kur imagjinata e dikujt shkonte larg, dijetarët e drejtonin në rrugën e drejtë dhe i mësonin se Islami kërkon nga besimtari të jetë aktiv dhe produktiv, të shmangë kotësinë dhe të shfrytëzojë kohën dhe energjinë e tij për të dobishme në fjalë, veprim dhe mendim.
Kur muslimanët, për shkak të prapambetjes kulturore dhe intelektuale, filluan të shtonin pyetjet që nuk i shërbenin as fesë, as jetës së tyre, as individit, as komunitetit, ata e mbushën kohën me detaje që asnjë nga të parët nuk i kishte imagjinuar.
Dijetarët më vonë, të ndjekur pasimit të tyre, luajtën rol të madh në ushqimin e kësaj tendence, duke i nxjerrë njerëzit nga thelbi dhe duke i mbushur me detaje të parëndësishme, aq sa mësimi i abdesit dhe pastërtisë mund të zgjasë një muaj të tërë, si gjatë muajit të Ramazanit.
Nga mbetjet e epokave të prapambetjes, disa njerëz më pas pyetën çudira, dhe në letrat e tyre lexova gjëra që të befasojnë dhe të bëjnë të qeshësh, dhe, siç thuhet, “Ç’është fatkeqësia që të bën të qeshësh!”
Pyetje të tilla përfshijnë: “Çfarë ngjyre kishte qeni i banorëve të shpellës? A ishte mashkull apo femër? Ku dhe kur ishin ata?” Edhe pse Allahu nuk e ka përcaktuar këtë dhe sikur të kishte pasur dobi, do ta kishte përmendur. Kurani madje përmend vetëm ndryshimin e mendimeve të Ahli Kitabit për numrin e tyre: tre, pesë ose shtatë, dhe më pas i thotë Profetit (a.s): “Thuaj: Zoti im e di më së miri numrin e tyre; vetëm pak njerëz e dinë atë, prandaj mos debato me ta për këtë gjë dhe mos pyet askënd prej tyre.”[1]
Nga kjo kategori pyetjesh janë edhe ato që disa dijetarë pyesin për çështje të metafizikës: “Çfarë gjuhe flasin njerëzit në varr? Arabe? Apo diçka tjetër?”
Imam Amir El-Sha’bi, një nga të pasuesit e dijes, përdorte shpesh shaka të mprehta për t’iu përgjigjur pyetjeve të çuditshme. Dikush e pyeti për gruan e Iblisit; ai iu përgjigj: “Ajo ishte një dasmë në të cilën nuk kam qenë i ftuar” Një tjetër e pyeti: “Si e kalon mjekrën gjatë abdesit kur është e dendur?” Ai i tha: “Lëre të qëndrojë e lagur që nga nata!”
Unë kam ndjekur të njëjtën qasje me disa njerëz. Një ditë, dikush më pyeti gjatë një ligjërate: “Si quhej motra e Musait (a.s) që përmendet në Kuran?” I thashë: “Pse të intereson? Do të martohesh me të? Edhe nëse quhet Merjem, Zulejha ose Marie, çfarë do të fitosh nga kjo? Allahu nuk e ka përmendur emrin e saj, dhe Profeti (a.s) nuk na e ka treguar; pse të lodhemi për atë që Allahu na ka kursyer dhe nuk ka dobi për ne?”
Allahu i faltë disa komentues që fillojnë dhe ripërsërisin përcaktimin e këtyre gjërave të pacaktuara, duke përmendur lloj – lloj intepretimesh të ndryshme për to; të gjitha janë izraelite, pa vlerë dhe të pa dobishme për fenë e Allahut dhe jetën njerëzore.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kehf: 22.








