PZAP-ja miraton kërkesën e PDK-së, anulon të gjitha votat me postë në Dragash

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka konfirmuar kërkesën e PDK-së në Dragash, të cilët konsideruan se pati manipulime në votat me postë.

Siç thuhet në vendimin e PZAP-së, ky institucion urdhëron KQZ-në që të mos e përfshijë në rezultatet finale të zgjedhjeve komunën e Dragashit, për shkak të shkeljeve të evidentuara, raporton lajmi.net.

“PRANOHET e bazuar ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, nga radhët e Subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me seli në Prishtinë, dega në Dragash, e cila mban shenjën Anr.1143/2021 e datës 17.11.2021, anulohen të gjitha fletëvotimet e doërzuara për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale 2021 të mbajtura me datë 14.11.2021 për kryetar të Komunës në Dragash”, thuhet në vendim.

Në ankesë të miratuar rezulton se dhjetëra familje nga diaspora kanë pasur dorëshkrimin e njëjtë në rastin e plotësimit të zarfit mbështjellës së fletëvotimeve.Paneli ka vlerësuar se “procesi i vetimit me postë nga votuesit jashtë Kosovës, për raundin e dytë të zgjedhjeve në Komunën e Dragashit është dëmtuar në atë masë sa që paneli vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”.

Lënda është dërguar tek Prokurori i Shtetit.

Kundër këtij vendimi është i lejuar ankesa përbrenda 24-orësh prej momentit të pranimit të këtij vendimi, në Gjykatën Supreme të Kosovës.Karshi vendimit të PZAP-së ka shkruar edhe avokati i kandidatit të PDK-së në Dragash, Faton Fetahu.

“Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të z. Shaban Shabani, kandidat për kryetar i komunës së Dragashit, sapo pranova vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, se ankesa që kam parashtruar është miratuar në tërësi si e bazuar”, u tha në postimin e tij.