PZAP-ja nuk e tregon vendimin e marrë për votat e diasporës

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nuk e ka treguar vendimin për 4 mijë e 639 zarfe me vota nga diaspora.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka mbledhur anëtarët e saj për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Supreme për numërimin e 4 mijë e 639 votave nga diaspora.

Pas mbledhjes e cila zgjati rreth 4 orë, PZAP-ja nuk ka treguar se cili ka qenë vendimi përkitazi me votat nga diaspora.

Anëtari i PZAP-së, Fejzullah Rexhepi, ka folur rreth vendimit të gjyqtarëve të këtij institucioni, por nuk ka treguar përmbajtjen e tij, pasi për këtë ka thënë se fillimisht në formë të shkruar do t’i dërgohet palëve

Sipas tij, vendimi pritet të publikohet deri në ora 16:00.

Gjykata Supreme ka marrë vendim për numërimin e këtyre votave pas ankesës që kishte ushtruar Lëvizja Vetëvendosje.