Qarkorja e brendshme në kryeqytet, Rama: Testi i dytë më i suksesshëm se i pari

Kryetari i Komunës Prishtinës Përparim Rama ka deklaruar se testimi i dytë i unazës qarkore njëkahëshe sot ka shkuar më mirë se në testimin e kaluar, derisa ka shtuar se po fitojnë hapësirat e humbura për qytetarët.

Rama ka thënë se qasja në trafik në dallim nga testimi i kaluar është më lehtë.

Ai ka shtuar se hapësirën e biçikletave e cila është humbur, po mundohen ta rifitojnë përsëri.

“Testimi po shkon shumë më mirë se herën e parë. Kjo qasja e trafiku është shumë më e lehtë dhe më e shpejtë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se tash e kemi edhe një rrugë e cila është e posaçme vetëm për biçikleta, kryeqyteti e ka fituar një hapësirë shumë më të madhe për qytetarët e Prishtinës… Ne kemi bërë analiza me ekspertë ndërkombëtare dhe e kanë parë që çdo matje tregon që ka përmirësim të dukshëm dhe pika kryçe është që ne po e fitojmë hapësirën, të cilën e kemi humb në relacion me makin. Po krijojmë një mundësi tjetër alternativ më të lehtë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë që zgjatjen e sheshit “Nëna Tereza” deri te katedralja e sheh si të arsyeshme, derisa theksoi se do të këtë aktivitete të ndryshme për gjatë vikendit.

“Në qendër të kryeqytetit e kemi zgjatur sheshin ‘Nëna Terezë’, deri te katedralja. Këtu sot ka evente të ndryshme luhet futboll, basketboll. Kemi ngjarje të ndryshme për me festuar pranverën. Është një numër i madh i aspekteve pozitive që janë duke ndodhur në kryeqytet…. Deri sot qytetarët nuk pas ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre, ku të ecin lirshëm, tash kemi hapësira të ndryshme që janë të sigurta”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, trafiku urban për gjatë vikendit ka qenë pa pagesë për të shtuar fluksin e qytetarëve të dalin pa makinat e tyre. Ndërsa për qarkoren njëkahëshe, sipas tij, trafiku urban do të jetë pa pagesë.