Qeveria britanike është duke e shqyrtuar aktivizimin e legjislacionit për ta hequr ish-princin Andrew Mountbatten-Windsor, nga linja e trashëgimisë mbretërore, shkaku i përfshirjes së tij në skandalin Epstein.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, ka thënë se masa që ia pamundëson Andrewit të bëhet ndonjëherë mbret, është gjëja e duhur për t’u bërë, pavarësisht rezultatit të hetimeve policore.
Andrew, i cili është vëlla i mbretit britanik, është i teti në linjën familjare për ta marrë fronin pavarësisht se atij i janë hequr titujt tetorin e shkuar, si pasojë e ndërlidhjes nën hetim me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Për këto dyshime, Andrew ishte arrestuar të enjten dhe qe liruar pas 11 orësh ndërsa i janë bastisur edhe pronat. Sipas BBC-së, policia pritet që t’i vazhdojë kontrollet në pronën e tij në Royal Lodge, deri të hënën.
Andrew në vazhdimësi i ka mohuar akuzat.
Duke folur për BBC-në, Pollard ka thënë se Qeveria ka qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Pallatin Mbretëror mbi planet për ta ndaluar ish-princin “që të jetë potencialisht një hap më afër fronit”.
Ai ka thënë se kjo çështje kalon përtej partive, por se ajo duhet të ndodhë tek pas përfundimit të hetimeve.
Sekretari i Thesarit, James Murray, ka thënë se çfarëdo pyetje në këtë fushë është e komplikuar, duke shtuar se duhet të pritet epilogu i hetimeve.
Pallati Mbretëror nuk i ka komentuar planet e Qeverisë për ta hequr Andrewn nga linja e fronit.
Për të ndodhur kjo, duhet një akt në Parlament, që duhet të miratohet nga deputetët dhe të hyjë në fuqi kur të marrë pëlqimin e mbretit. Po ashtu ai duhet të përkrahet nga 14 shtetet e Commonwealthit, ku Charles III është në krye të shtetit, përfshirë Kanadanë, Australinë, Xhamajkën e Zelandën e Re.
Hera e fundit që diçka lidhur me linjën e fronit ishte ndërmarrë nëpërmjet Parlamentit, ishte më 2013, kur Akti i Trashëgimisë së Kurorës i riktheu individët që më herët ishin përjashtuar për shkak të martesave me katolikë.
Ndërkaq hera e fundit që dikush ishte larguar nga linja e fronit nëpërmjet Parlamentit, ishte kur Edward VIII dhe pasardhësit e tij u hoqën për shkak të abdikimit të tij.








