Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Kryministri i Kosovës, Albin Kurti në fillim të mbledhjes tha se kjo është masë ndaj Serbisë e cila prej 6 vjetësh ka bllokuar linjat ndërkufitare për tregtim.
Kurti ka thënë se do t’i vendosin KEK-ut obligim publik për të siguruar një sasi të kapacitete ndërkufitare për muajin dhjetor.
Poashtu është obliguar “Ibër-Lepencit” për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare. Për tu përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapacitete ndërkufitare për muajin dhjetor si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e “Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë e shërbimit publik”, ka thënë Kurti në mbledhjen e ekzekutivit.
Kurti ka thënë se ky vendim nuk e prek furnizuesin me energji elektrike për komunave në veri të Kosovës.
Por ai ka thënë do të monitorohet situata, duke paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim nga autoritetet serbe, do të ketë përshkallëzim dhe rishqyrtim të marrëveshjes për energjinë të arritur në Bruksel.






