Qeveria e Palestinës: Hamasi është pjesë e hartës politike dhe Izraeli nuk mund ta eliminojë këtë

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh tha se Hamasi është pjesë e hartës politike dhe se Izraeli nuk mund ta eliminojë këtë, transmeton Anadolu.

Gjatë një fjalimi në Forumin e 21-të të Dohas në Katar, Shtayyeh tha se palestinezët janë të shqetësuar për situatën e tyre aktuale dhe jo për të ardhmen. Ai përsëriti thirrjen për të ndalur gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës i cili ndodhet nën bllokadën dhe sulmet izraelite.

Shtayyeh vuri në dukje se ndërtimi i të ardhmes së Palestinës do të jetë i mundur vetëm me dakordim lokal.

Pasi nënvizoi se nuk kanë hequr dorë nga Hamasi, kryeministri palestinez shtoi: “Është e rëndësishme që Hamasin ta shohim si pjesë të hartës politike në Palestinë. Ndërsa pretendimi i Izraelit se do të eliminojë Hamasin nuk do të realizohet. Ne këtë e refuzojmë”.

Ai theksoi se duan zgjidhje politike gjithëpërfshirëse për popullin e Palestinës i cili prej 75 vitesh përjeton dhimbje dhe se gjëja e vetme për të cilën kanë nevojë është përfundimi i pushtimit.

“Konflikti në territorin palestinez kërkon zgjidhje politike, jo zgjidhje ekonomike apo ushtarake”, potencoi Shtayyeh duke shtuar se qeveria izraelite e cila u drejtohet rrugëve ushtarake ka dështuar çdo herë. Ai thotë se Izraeli i cili nuk ka realizuar asnjë objektiv politik të tij dhe se përpiqet të vrasë çdo gjë që i del para syve në Gaza.

Duke tërhequr vëmendjen se dy të tretat e mbi 17 mijë palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës brenda 60 ditëve përbëhen nga gra dhe fëmijë, Shtayyeh rikujtoi se në luftën që vazhdon në Ukrainë prej 600 ditësh kanë humbur jetën 7 mijë persona.

Kryeministri palestinez kritikon Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) për vonesë në kërkimin e llogarisë ndaj Izraelit dhe tha se duhet të vendoset menjëherë drejtësia për krimet e kryera në territoret palestineze.