Qeveria jep dy data të ndryshme për liberalizimin e vizave

Qeveria e Kosovës nuk është e përcaktuar për një datë që mund t’i sjell qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë, pasi kryeministri Ramush Haradinaj dhe zv/kryeministri Behgjet Pacolli kanë dhënë deklarata kundërthënëse për këtë çështje.

Brenda ditës së enjte, kryeministri dhe zv/kryeministri kanë dhënë dy data kur, sipas tyre, pritet të hiqet regjimi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Haradinaj ka thënë dje se liberalizimi i vizave do të ndodhë në mars të vitit të ardhshëm, raporton Insajderi.

Haradinaj thotë se në mars Kosova i merr dy lajme të mëdha

“Kosovarët mund të lëvizin pa viza para muajit mars të vitit që vjen. Gjithashtu edhe FSK-ja para atij muaji, mund të shndërrohet në ushtri të Kosovës”, ka thënë Haradinaj për RTK, ndërsa ka shtuar se madje muaji mars mund të jetë koha më e largët kur këto dy procese mund të realizohen.

Ai ka njoftuar se për këtë çështje dhe të tjera, do të udhëtojë më 18 dhjetor në Bruksel.

Haradinaj ka vlerësuar se është hera e parë që për liberalizimin e vizave dhe formimin e ushtrisë së Kosovës, ka një afat kohor e që është marsi.

Por, një qëndrim tjetër për liberalizimin e vizave, e ka zëvëndësi i Haradinajt në qeveri, Behgjet Pacolli.

Kryediplomati kosovar ka thënë dje se viti 2018 do jetë vit i sfidave, por edhe i arritjeve të mëdha përfshirë këtu edhe vizat.

“Nëse kalon demarkacioni deri në shkurt të vitit të ardhshëm, unë jam i bindur se do të ketë lëvizje të lirë për kosovarët, nga vera e vitit të ardhshëm”, ka thënë ai, duke specifikuar qershorin si muajin e mundshëm për liberalizimin e vizave.