Qeveria miraton projektligjin e ri për pensione, përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me anë të këtij ligji do të sigurohet trajtimi i barabartë për të gjithë pensionistët dhe do të rritet mirëqenia sociale.

“Përmes tij do të adresojmë çështjen e pabarazisë disavjeçare, të mosnjohjes të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues, të një numri të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vjetësh kontribut në sistemin pensional”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se më këtë ligj do të eliminohet padrejtësia ndaj atyre që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet 90’.

Sipas tij me këtë ligj garantohet një sistem pensional solidar dhe i barabartë.

“Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti po e bëjmë reformën pensionale, Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional solidar e të barabartë, që garanton pensione stabile e kujdeset për pensionistët. Kjo skemë e zhduk dallimin dhe margjinalizimin, e u garanton qasje të mirë sociale të gjithëve. Këtë duhet të bëjë republika e këtë po e bëjmë së bashku”, ka deklaruar Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me kriterin për 15 vjet përvojë pune para luftës, për t’u kualifikuar si pensionist kontributdhënës, janë diskriminuar shumë persona që dhunshëm janë larguar nga puna në vitet 90’.

“Më këtë ndryshim ne po e zhbëjmë atë diskriminim sepse do t’u mundësohet që për periudhën nga koha kur janë larguar nga puna e deri më një janar 1999, t’u llogaritet drejt plotësimi i kushtit prej 15 vjetësh e lartësia e pensionit do të caktohet varësisht nga vitet që kanë kontribuar, hiqet kjo preja prej 15 vjetësh”, është shprehur Murati.

Sipas tij nga ky ndryshim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë. “Nga ky ndryshim plotësim, teorikisht parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të përfituar nga ky ndryshim, megjithatë duhet të kemi parasysh që disa mund të kenë ndërruar jetë e disa të mos e kenë arritur ende moshën e pensionimit, por aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës”, është shprehur Murati.

Sipas tij ky kostoja buxhetore e këtij ndryshimi do të jetë rreth 60 milionë euro në vit.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar edhe Projetkkodin doganor dhe të akcizave.