Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Gaza.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha FSK ka treguar profesionalizëm në misionet e saj.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci duke arsyetuar projektligjin tha se me këtë Kosova tregon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krahë aleatëve.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision, përfshinë pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të Komandës së Unifikuar të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, e cila ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Gjithnjë, duke u bazuar në mandatin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ku të gjitha operacionet e saj do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare të zbatueshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, rregullat e angazhimit të forcës ndërkombëtare stabilizuese, marrëveshjet e zbatueshme për mbrojtjen e statusit dhe instrumentet tjera detyruese të zbatueshme. Përmes këtij angazhimi, Republika e Kosovës dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe zbatimit të mandateve ndërkombëtare. Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizimin FSK-së, dhe vendos Republikën tonë në radhët e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe që kontribuojnë aktivisht në ruajtjen në rendit ndërkombëtar”, tha Maqedonci, raporton teve1.info.
Vendimi pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Ministri Maqedonci në kohën kur puna e Kuvendit ishte pezulluar për shkak të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese tha në “InfoNata” se mosfunksionimi i Kuvendit po e pengon dërgimin e FSK-së në Gaza.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka dhënë afat 34 ditë për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi pritet të mbajë seancë të rregullt gjatë javës.








