Qeveria thotë se Kosova ka miell edhe për 6 muaj

Qeveria e Kosovës ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të panikohen për mungesë të furnizimit me miell. Sipas ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, nga Shoqata e Mullistëve është garantuar se furnizimi është i mjaftueshëm edhe për tre deri në gjashtë muaj.

Në një konferencë me shtyp, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dy ministrat kanë bërë thirrje që të mos ketë panik, duke marrë për bazë pamjet që treguan shumë qytetarë në pritje të mullinjve për furnizim me miell.

Hajdari ka thënë se shteti ka rritur rezervën shtetërore vitin e kaluar, duke blerë mallra e naftë.

Sipas saj, ka rezerva të konsiderueshme për grurin dhe naftën dhe se s’ka vend për panik.

Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ftuar qytetarët të mos panikohen e të jenë më vigjilentë për shkak të lajmeve të rreme.