Qindra qytetarë të Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijes

Qindra qytetarët të Deçanit është raportuar se mbrëmë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare, mbi dyshimet se janë helmuar nga uji i pijes.

Lidhur me këtë rast, KRU “Hidrodrini” në Deçan ka lëshuar një njoftim ku ka kërkuar që banorët e fshatrave, Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri të mos e konsumojnë ujin deri në njoftim të radhës.

“Pas shfaqjes së dyshimeve të para, të pavërtetuara deri më tash, KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Operative – Deçan, në koordinim edhe me autoritetet komunale, ka marrë të gjitha masat urgjente duke hulumtuar shkaqet e mundshme. Njoftojmë se deri në këtë çast, nuk ka asnjë bazë të vërtetuar se shqetësimet në fjalë mund të kenë ardhur /ose/ mos ardhur, si pasojë e ujit”, thuhet në njoftimin e “Hidrodrini”.

“Hidrodrini” ka kërkuar nga qytetarët që deri në kthimin e analizës së ujit nga ana e IKSHPK-së, banorët e fshatrave të lartë cekur të mos konsumojnë ujin e pijes që vjen nga rrjeti i ujësjellësit.