Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rama e ka sfidën kryesore me shqiptarët, jo me Brukselin

Rama e ka sfidën kryesore me shqiptarët, jo me Brukselin

Triumfalizmi i shtirur në zyrat e BE-së përballë korrupsionit galopant në shtëpi

Ndërsa kryeministri Edi Rama pozonte i rrethuar nga kabineti i tij në Bruksel, duke shpërndarë videon festive për hapjen e tre kapitujve sikur Shqipëria të kishte prekur parajsën, në Tiranë dhe Durrës frynte një erë krejt tjetër.

Ky kontrast i frikshëm mes triumfalizmit artificial evropian dhe greminës së përditshme ku po zhytet vendi tregon se beteja e vërtetë e kësaj qeverie nuk luhet në zyrat e BE-së, por në rrugët e Shqipërisë, ku qytetarët prej 45 ditësh po kërkojnë llogari.

E vërteta është se rrugëtimi evropian i Shqipërisë nuk po pengohet më nga skepticizmi i zakonshëm i Brukselit, por nga vetë kalbësia e modelit qeverisës në Tiranë. Javët e fundit, Bashkimi Evropian ka ndryshuar dukshëm tonet ndaj qeverisë shqiptare, me Gjermaninë në krye të një qëndrimi gjithnjë e më kritik.

Këtë e bëri të qartë dje edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila i kujtoi prerë Tiranës se reformat duhet të thellohen dhe se koha e premtimeve boshe ka mbaruar.

Presioni ka dhënë efektin e parë të dukshëm: zbythjen pa lavdi të kryeministrit përballë dy prej kërkesave kryesore të protestave qytetare.

Bëhet fjalë për ligjin për investimet strategjike dhe atë për zonat e mbrojtura. Këtë dy ligje, të cilat u kthyen në simbole të abuzimit me pasurinë publike, u përdorën si mburojë ligjore për të favorizuar klientët e pushtetit, ku rasti më flagrant ishte tentativa për të ndarë troje në interes të projektit të Jared Kushner.

Rama u detyrua dje të pranojë shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe përshtatjen e ligjit për zonat e mbrojtura me standardet e BE-së.

Ndonëse u përpoq ta paketonte këtë tërheqje si një proces bashkëpunimi dhe “mirëformulimi”, ky është një kapitullim i pastër përballë revoltës popullore dhe presionit ndërkombëtar.

Por nëse në Bruksel, ai mund të luajë rolin e liderit vizionar që premton integrim të shpejtë, në shtëpi përballet me “elefantin në dhomë” që askush nuk mund ta injorojë më: një shtet që po tretet nga korrupsioni.

Ndërsa kryeministri mburret për suksese burokratike, përditshmëria shqiptare ofron skena skandaloze që dëshmojnë shkallën e degradimit institucional.

Vetëm së fundmi, vendi u trondit nga skandali në Postën Shqiptare në Durrës, ku drejtoresha e sapoemëruar – e cila zëvendësoi në detyrë një deputete të Partisë Socialiste – dyshohet se ka vjedhur me vartësit e saj plot 3 milionë euro në më pak se një vit, që nga tetori i vitit 2025.

Ky rast nuk është një incident i izoluar, por pasqyrim i një sistemi ku zyrat publike trajtohen si plaçkë lufte. Çdo ditë, SPAK po procedon penalisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të mazhorancës për abuzime në miliarda lekë.

Ky korrupsion galopant është pikërisht arsyeja pse qytetarët kanë mbushur rrugët për 45 ditë radhazi. Problemet e ngritura në këto protesta janë shumë më të thella se entuziazmi i shtirur i kryeministrit nëpër video-mesazhe.

Ato flasin për një shëndetësi të rrënuar, një sistem arsimor në krizë ekzistenciale, një rini të çorientuar e të pashpresë, dhe mbi të gjitha, për një shpopullim të frikshëm që po e zbraz vendin dita-ditës.

Sfidat e vërteta të Ramës nuk zgjidhen me buzëqeshje diplomatike apo me shtrëngime duarsh në Bruksel. Ato janë këtu, në Tiranë e në çdo cep të Shqipërisë, ku shqiptarët kërkojnë llogari për të ardhmen e tyre. \tesheshi